Ministrja Gërvalla priti në takim lamtumirës ambasadoren Lobbezoo
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, priti në një takim lamtumirës ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo.
Përmes një njoftimi për medie bëhet e ditur se ministrja Gërvalla e falënderoi ambasadoren për rolin e saj si ambasadore në Kosovë, për mbështetjen e dhënë gjatë proceseve jo të lehta për sigurinë në Kosovë dhe rajon, si dhe i uroi suksese të mëtutjeshme në misionin e ri.
“Gjatë këtij takimi, ministrja Gërvalla dhe ambasadorja Lobbezoo biseduan edhe rreth progresit të arritur viteve të fundit në Kosovë, në zhvillimin e demokracisë, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik, si dhe në politikën e jashtme, proceset integruese si dhe fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale me shtete të ndryshme”, thuhet në njoftimin e dërguar sot.
Tutje, ministrja Gërvalla vlerësoi lart kontributin e ambasadores në fuqizimin e marrëdhënieve të qëndrueshme mes Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës, si dhe rritjen e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët. /Kosova.info/