Ministria ndan mbi 4 milionë euro për largimin e dheut nga autoudha “Ibrahim Rugova”

Ajo që për shumë qytetarë dukej si një grumbull dheu i lënë për muaj të tërë në autoudhë, tashmë do t’i kushtojë buxhetit të shtetit plot 4.67 milionë euro.

Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar kontratat për sanimin e skarpateve në autoudhën “Ibrahim Rugova”, projekt që përfshin largimin dhe stabilizimin e rrëshqitjeve të dheut në disa segmente të autostradës.

Punimet do të kushtojnë 4,673,997.88 euro, ndërsa nënshkrimi i kontratave vjen pas një periudhe të gjatë gjatë së cilës qytetarët kanë raportuar vazhdimisht për rrezikun në këto pjesë të autoudhës. Segmentet problematike janë përmendur shpesh edhe pas aksidenteve të rënda që kanë ndodhur në atë zonë.

Përderisa dheu qëndronte me muaj pranë asfaltit, duke u bërë pjesë e zakonshme e pamjes së autostradës, tashmë shteti do të shpenzojë mbi 4.6 milionë euro për ta larguar dhe për të stabilizuar terrenin.

Ministria thotë se procedurat janë vonuar për shkak të shqyrtimit të lëndës në OSHP, ndërsa punimet pritet të nisin gjatë ditëve në vijim.
Projekti përfshin ndërhyrje në tri lokacione të ndryshme përgjatë autoudhës:
📍 Loti 1 – Sanimi i rrëshqitjes në km 72.4, me vlerë 2,087,952.94 €
📍 Loti 2 – Sanimi i rrëshqitjeve në km 69.1 dhe 63.4, me vlerë 1,187,080.09 €
📍 Loti 3 – Sanimi i rrëshqitjes në km 44.0, me vlerë 1,398,964.85 €
💶 Vlera totale e projektit arrin në 4,673,997.88 euro.

Go to TOP