1,500 kilometra në këmbë për 15 ditë: Boksieri llapjan shkruan historinë në Prishtinë

Rrugëtimi heroik prej 1,500 kilometrash në këmbë i boksierit profesionist llapjan, Miridon Mulolli, i cili nisi 15 ditë më parë nga qyteti Suhl i Gjermanisë, ka përfunduar zyrtarisht sot në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Në mesin e qytetarëve dhe familjarëve që kishin dalë për ta pritur Mulollin, i pranishëm ishte edhe ekipi i KosovaPress, i cili zhvilloi intervistat me boksierin dhe babin e tij në momentet e para të mbërritjes, ku u vura në pah suksesi dhe sakrifica e këtij udhëtimi sportiv.

Boksieri Miridon Mulolli ka shpjeguar në detaje e udhëtimin përgjatë këtyre dy javëve të vështira, duke treguar se cilat ishin momentet ku trupi filloi rraskapitet, si dhe emocionet e papërshkrueshme kur preku tokën e Kosovës:

Mulolli: Prej Gjermanisë, Çekisë, Austrisë, Hungarisë e përmes Serbisë, sot në Kosovë

“Ky vrapim ka nis prej Suhl të Gjermanisë, e kam kalu Qekinë, prej Qeksi në Austri e prej Austrisë kemi kalu në Hungari, e prej aty kam kaluar në shtetin e Serbisë, edhe tash jemi në Kosovë. Staza ku kam qenë shumë i rraskapitun ka qenë kur i kam kalu 300 km e para, ka fillu trupi me u lodh i pari edhe tash momentet e fundit perderisa isha ne rrug drejt sheshi. Jam gëzu teper, jam ndi shum krenar, ska fjal që muj me përshkru.”

Ilmi Mulolli: Mu dok si shaka në fillim, thash ani biri im ti e din

I pranishëm në këtë pritje madhështore dhe mjaft emocionale ishte edhe babai i boksierit, Ilmi Mulolli. Ai ka rrëfyer për KosovaPress ndjenjat e tij të përziera prindërore dhe momentin kur i biri i tregoi për herë të parë idenë e madhe se do të nisej në këmbë nga Gjermania për në shtëpi:

“Shumë i kënaqur jam, kam shumë emocione, nuk di si të shprehem qaq mirë që ndihem, nuk ja kam prish hiq, as si kam thënë po as jo, më ka thënë: ‘Babë po du me ardh në këmbë’. Mu dok si shaka në fillim, thash ani biri im ti e din, e di që ka pas shumë dëshirë me ardhe.”

Ky udhëtim ka qenë edhe një test i jashtëzakonshëm fizik për boksierin llapjan. Miridoni pas pak më shumë se dy muaj e pret një përballje tejet e rëndësishme. Ky marshim i tij shërbeu gjithashtu edhe si një mënyrë fantastike promovimi për meçin e tij të radhës për titullin e Kampionit të Gjermanisë, i cili do të zhvillohet më 29 gusht 2026 në qytetin Suhl.

Go to TOP