Hamiti: Qeveria Kurti ka prodhuar korrupsion, shkelje kushtetuese dhe izolim të Kosovës
Anëtari i LDK-së, Muhamet Hamiti, ka adresuar kritika të ashpra ndaj Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, duke e akuzuar për korrupsion, shkelje të Kushtetutës dhe dëmtim të pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
Hamiti ka deklaruar se gjatë viteve të fundit qeverisja e Vetëvendosjes është karakterizuar nga raste të rënda korrupsioni, duke iu referuar edhe raportimeve ndërkombëtare për këtë çështje.
“Korrupsion të rëndë qeveritar ka bërë Qeveria e Vetëvendosjes, siç e kemi parë dhe po e shohim. E ka raportuar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, duke e quajtur ‘serious government corruption’”, ka shkruar ai.
Sipas Hamitit, Vetëvendosje ka shënuar më shumë shkelje të Kushtetutës sesa të gjitha qeveritë e mëparshme të Kosovës së bashku, ndërsa ka akuzuar ekzekutivin edhe për përkeqësimin e raporteve me Bashkimin Evropian.
Ai ka theksuar se, si pasojë e politikave të Qeverisë Kurti, Kosova është përballur me masa ndëshkuese nga BE-ja, duke pretenduar se janë pezulluar rreth 700 milionë euro fonde për projekte të rëndësishme për qytetarët.
Hamiti ka kritikuar edhe gjendjen ekonomike në vend, duke thënë se inflacioni dhe rritja e kostos së jetesës kanë rënduar gjendjen e qytetarëve, ndërsa ka vlerësuar se Kosova vazhdon të mbetet ndër vendet më të varfra në Evropë.
Po ashtu, ai është ndalur edhe te dialogu Kosovë–Serbi, duke e cilësuar marrëveshjen e pranuar në vitin 2023 si “më të dëmshmen në historinë e dialogut”, për pasojat e së cilës, sipas tij, vendi do të përballet në të ardhmen.
Megjithatë, Hamiti ka theksuar se pavarësisht këtyre zhvillimeve, qytetarët kanë vazhduar t’i japin mbështetje elektorale Vetëvendosjes, si në zgjedhjet e vitit të kaluar ashtu edhe në ato të 7 qershorit 2026.
