Milani zgjedh Ruben Amorimin

Milani duket se ka vendosur për pasuesin në bankinë. Klubi kuqezi ka arritur marrëveshje me trajnerin portugez Ruben Amorim, i cili pritet të marrë drejtimin e skuadrës për sezonet e ardhshme.

Sipas medieve italiane, orët e fundit kanë qenë vendimtare për finalizimin e negociatave. Drejtuesit e Milanit i kanë paraqitur ofertën 41-vjeçarit, ndërsa përgjigjja e tij ka qenë pozitive. Më pas ka ardhur edhe miratimi përfundimtar nga pronari i klubit, Gerry Cardinale.

Marrëveshja parashikon një kontratë dyvjeçare me vlerë 3.5 milionë euro në sezon, si dhe një opsion për zgjatje edhe për një vit tjetër. Në kontratë janë përfshirë gjithashtu bonuse të lidhura me fitimin e trofeve dhe sigurimin e kualifikimit në UEFA Champions League.

Amorim pritet të formalizojë marrëveshjen në ditët në vijim, pasi të mbyllë edhe detajet e fundit që lidhen me largimin e tij nga Manchester United. Portugezi ishte emëruar në krye të klubit anglez pas largimit nga Sporting Lisbona, por aventura e tij në Premier League nuk rezultoi e suksesshme dhe përfundoi me shkarkimin e tij në janar.

Megjithatë, emri i Amorimit mbetet shumë i vlerësuar në futbollin evropian, veçanërisht për punën e bërë te Sportingu. Ai i dha fund pritjes 19-vjeçare të klubit portugez për titullin kampion në vitin 2021 dhe më pas e udhëhoqi sërish drejt suksesit në kampionat.

Për Milanin, emërimi i Amorimit përfaqëson një hap të rëndësishëm në procesin e rindërtimit pas një sezoni zhgënjyes, ku objektivi kryesor – kualifikimi në Champions League – nuk u arrit.

Pas zyrtarizimit të trajnerit të ri, drejtuesit kuqezi do të fokusohen te plotësimi i strukturës sportive, me emrin e Markus Krosche që vazhdon të konsiderohet favoriti kryesor për postin e drejtorit teknik.

Go to TOP