Ministria e Drejtësisë akuzon Prokurorinë Speciale se ka manipuluar dhe propaganduar me ekspertizën për rastin Dehari

Ministria e Drejtësisë ka akuzuar Prokurorinë Speciale të Kosovës se ka manipuluar dhe propaganduar me ekspertizën e Institutit Zviceran për rastin e Astrit Deharit.

Sipas MD-së, nga Prokuroria Speciale janë publikuar vetëm dy nga konkluzionet e raportit, nga pesë sa janë gjithsej.

Përmes një komunikate për media, MD-ja thotë se publikimi i raportit nga Prokuroria Speciale ende pa e pranuar familja raportin “dëshmon për mangësi të theksuar intelektuale, mungesë totale të njohurive shkencore, gjuhë krejtësisht jo profesionale edhe qëllim dashakeq. Jemi të zhgënjyer me këtë qasje!”.

“Nxitimi me komunikatë nga Prokuroria Speciale sikurse deklaratat e menjëhershme asokohe të kreut të policisë dhe të Prokurorisë Themelore në Prizren, në mënyrë të ngjashme na rikthehen sërish me deklarata të Prokurorisë Speciale, pa kurrfarë nevoje për këtë nxitim”, thuhet në komunikatën për media.

“Kujt i kontribuon një manipulim i tillë, ku publikohen konkludime të pjesshme? Si munden organet e drejtësisë të jenë kaq tendencioze dhe selektive, veçmas një organ siç është prokuroria, e cila nuk guxon t’i shpërfillë asnjë nga hetimet që bëhen për asnjë rast të caktuar”.

Mes tjerash, thuhet se Astrit Dehari ka vdekur në duart e shtetit dhe se “papërgjegjësia e organeve të shtetit ka prodhuar edhe këtë situatë të kobshme”.

Ndërsa, sipas ministrisë, papërgjegjësia e sërishme e organeve, këtë rast e Prokurorisë Speciale, po tenton “të vrasë” zbardhjen e drejtësisë.

“Përkundër pengesave që kanë vendosur, individë apo grupe të ndryshme, të cilët tentojnë ende që të pamundësojnë zbardhjen e rastit Dehari, ato nuk mund ta sfidojnë në tërësi drejtësinë”.

“Ministria e Drejtësisë bën sërish të qartë, që në mandatin e saj, përbrenda kompetencave që ka do të ndërmarrë çdo hap, çdo veprim për të forcuar në njërën anë sistemin e drejtësisë dhe do t’i përgjigjemi secilës kërkesë për drejtësinë e plotë për Astrit Deharin”, thuhet në reagim.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Kosovës të martën ka njoftuar se ka pranuar raportin nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, lidhur me rastin e Astrit Deharit.

Sipas PK, në raport thuhet se analizat nuk kanë treguar profil tjetër të ADN-së përveç të Astrit Deharit.

“Analizat e ADN-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, Astrit Dehari, në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë treguar profil të ADN-së përveç të atij, Astrit Dehari”.

“Analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Astrit Deharit, kanë treguar praninë kafeines dhe mos prani të etanolit”, thuhet në raport.

Ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, është gjetur i vdekur më 5 nëntor të vitit 2016, brenda qelisë së tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. 

Go to TOP