Ministri Sveçla demanton Vuçiqin: Polici i Kosovës u plagos nga bandat tua

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, deklaroi se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që ishte ministër i propagandës në kohën e Millosheviqit, në mungesë të çdo preteksti e arsyetimi për veprimet kriminale të grupeve që dirigjon, i është kthyer rolit kryesor të mëhershëm, atij të propaganduesit.

“Një nga gënjeshtrat e tij të shumta ka të bëjë me plagosjen e zyrtarit policor Ekrem Neziri, se kinse është lënduar nga xhamat në sulmet ndaj zyrave të KKZ-së në Mitrovicën e Veriut”, deklaroi ministri Sveçla.

“Sulmet ndaj zyrave të KKZ-së kanë ndodhur me datë 6 dhjetor, ndërsa sulmi me armë zjarri ndaj zyrtarit policor Ekrem Neziri ka ndodhur me datë 8 dhjetor, në fshatin Serbovc, mes Zveçanit dhe Leposaviqit”, sqaroi ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës.

“Për këtë ka edhe pamje (fotot bashkëngjitur), edhe dëshmitarë nga KFOR që kanë shkuar në vendin e ngjarjes si dhe ka edhe raport mjekësor që e dëshmon këtë”.

Ministri Sveçla deklaroi se këto të pavërteta dhe shumë të tjera, janë përpjekje të dështuara të Vuçiq, që kanë për qëllim të kamuflojnë sulmet e grupeve të tij kriminale.  

“Policia e Kosovës asnjëherë të vetme nuk ka terrorizuar apo sulmuar asnjë qytetar, aq më pak për shkak të përkatësisë etnike”, sqaroi ministri Sveçla.

Sipas tij, e vërteta është se grupet kriminale të dirigjuara nga Vuçiq, kanë shtënë për t’i eliminuar zyrtarët tanë policor si dhe kanë sulmuar brutalisht e terrorizuar qytetarët tanë.

“Propaganda e tij më nuk gjen adresë, askund”.

“Ne do të vazhdojmë dhe do të qëndrojmë, për të gjithë qytetarët pa dallim e për shkatërrimin e të gjitha grupeve kriminale që dirigjon propaganduesi Vuçiq dhe jo vetëm”, shkroi ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhella Svecla, në llogarinë e tij në Facebook.

Go to TOP