Ministri Krasniqi: Avancimi i të drejtave të komuniteteve është prioritet

Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve është mbajtur konferenca rajonale për zhvillimin e politikave të punësimit dhe fuqizimit të rolit të komuniteteve, Rom, Egjiptian dhe Ashkali.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se avancimi i të drejtave të komuniteteve është një nga prioritete e Qeverisë Kurti dhe tij si ministër.

“Angazhimi jonë është aktiv në mënyrë që të bëjmë një zgjidhje e cila është jo shumë e largët në afate kohore, por edhe të kemi kohën e mjaftueshme që ky problem të zgjidhet. Si MAPL avancimi i të drejtave të komuniteteve është një prej prioriteteve tona.

Në vazhdimësi me kryetarët e komunave kemi pasuar këtë qasje që të bashkëpunojmë që edhe ne të kryejmë pjesën e obligimeve dhe ata të kenë më lehtë ofrimin e shërbimeve më të mira për komunitetet, punësimi vazhdon me qenë një prej temave kryesore të diskutimeve tona.

Prej kur e kemi marrë mandatin menjëherë kemi krijuar një instrument i cili është për financimin e projekteve kapitale në nivel lokal, i cili parasheh drejtpërdrejtë bashkëpunimin e MAPL-së me zyrat lokale për komunitete”, tha ai.

Ndërsa, drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, të Drejtat e Njeriut, Mundësi të Barabarta dhe Jo-Diskriminim Habit Hajredini, u zotua se do të nxisin dhe promovojnë punësimin e tri komuniteteve.

“Ta forcojmë këtë gamën institucionale lokale që punon në fushën e të drejtave të njeriut. Kur ka komunikim të përditshëm në këto sektor, natyrisht shkëmbimi i informatave dhe dokumenteve është i rëndësishëm.

Punësimi është një prej sfidave kyçe më të mëdha që e kemi në vend duke ditur se papunësia dhe aspekti social ekonomik i vendit nuk është për t’u dëshiruar dhe godet grupet më të ndjeshme.

Ne kemi biseduar për të parë mundësinë që të fusim një mekanizëm që ka me nxit dhe promovuar punësimin e tri komuniteteve që ndërlidh gjithë spektrin institucional duke përfshirë edhe atë të nivelit lokal. Mendoj se kjo ka me qenë e efektshme për të rritur punësimin e komuniteteve”, theksoi ai.

Më 8 prill është Dita Ndërkombëtare e Romëve.

Go to TOP