Ministri Konakoviq në Itali: Rusia dhe separatistët përbëjnë kërcënim serioz për Bosnjë e Hercegovinën
Ministri i Punëve të Jashtme të Bosnjë e Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, ka paralajmëruar për ndikimin rus dhe retorikën separatiste që po rrezikojnë seriozisht rendin kushtetues dhe stabilitetin në Bosnjë e Hercegovinë.
Duke folur në konferencën ndërkombëtare “Dialogët Mesdhetarë”, e mbajtur në Napoli të Italisë me ftesë të ministrit italian të punëve të jashtme Antonio Tajani, Konakoviq theksoi se kriza aktuale në Bosnje nuk është më etnike, por gjeopolitike, dhe se ajo është drejtpërdrejt e nxitur nga ndikimi i Federatës Ruse.
Ai shprehu shqetësimin për rritjen e retorikës separatiste dhe veprimet e disa politikanëve në Bosnje e Hercegovinë që, sipas tij, të ndikuar nga Moska, po minojnë hapur rendin kushtetues të shtetit.
“Nën ndikimin rus, disa liderë politikë po e shtyjnë vendin drejt ndarjes. Kjo nuk është vetëm një sfidë për Bosnjën, por edhe një kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin në të gjithë rajonin”, theksoi Konakoviq, duke u ndalur në veçanti tek paralajmërimi për mbajtjen e dy referendumeve në entitetin e Republikës Sërpska, që, sipas tij, mund të kenë pasoja të rënda.
Ministri boshnjak shtoi se presidenti i Republikës Sërpska, Milorad Dodik, po bllokon integrimin evropian të vendit, ndërsa tani ka filluar të sulmojë edhe kundërshtarët politikë brenda komunitetit serb, përfshirë opozitën e brendshme të RS-së.
“Kjo nuk është më thjesht krizë e brendshme, por pasqyrë e një përplasjeje më të madhe gjeopolitike, që lidhet me përpjekjet ruse për të destabilizuar Ballkanin dhe për të ndalur zgjerimin e Bashkimit Evropian në rajon”, deklaroi Konakoviq.
Ai njëkohësisht ritheksoi se integrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është thelbësor për paqen dhe sigurinë afatgjatë, jo vetëm në Bosnjë, por në të gjithë Mesdheun.
Në fjalën e tij, Konakoviq përmendi edhe rëndësinë strategjike të pozicionit gjeografik të Bosnjë e Hercegovinës, duke përfshirë edhe portin e Neumit, të cilin e cilësoi si një pikë të rëndësishme logjistike që mund të lidhet me korridoret detare të Bashkimit Evropian. Ai theksoi se projekte si Korridori 5c tashmë po kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe lidhjen e rajonit me pjesën tjetër të Evropës.
Në panelin ministror të konferencës morën pjesë edhe zyrtarë të lartë nga Italia, Mali i Zi, Shqipëria, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Sllovenia, ku u diskutua për çështjet e sigurisë, diplomacisë dhe bashkëpunimit rajonal në kontekstin mesdhetar.
