Ministri i Jashtëm i Iranit përmend të drejtën për vetëmbrojtje si reagim
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, u ka bërë thirrje vendeve të rajonit që të parandalojnë Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin nga “keqpërdorimi i territorit të tyre” për të kryer operacione kundër Iranit.
Ai ka deklaruar se vendi do të përdorë të gjitha mjetet e tij ushtarake, në kuadër të së drejtës për vetëmbrojtje, për të mbrojtur veten.Në një deklaratë thuhet se Araghchi ka zhvilluar biseda telefonike me homologët e tij në vende përfshirë Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin, Kuvajtin, Bahreinin dhe Irakun, duke u thënë se Irani do të përdorë “të gjitha kapacitetet e tij mbrojtëse dhe ushtarake në kuadër të së drejtës legjitime për vetëmbrojtje” për të mbrojtur integritetin e vendit.
Sipas deklaratës, Araghchi u ka “kujtuar” këtyre vendeve edhe “përgjegjësinë e tyre për të parandaluar keqpërdorimin e objekteve dhe territoreve të tyre” nga SHBA-ja dhe Izraeli për të kryer sulme.
Ndërkaq, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, dënoi të shtunën sulmet ushtarake nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara, duke theksuar se forcat e armatosura të vendit do ta mbrojnë me vendosmëri sovranitetin e tij.
“Forcat e armatosura të Republikës Islamike të Iranit do ta mbrojnë vendin me vendosmëri. Kjo është një përballje kombëtare e imponuar ndaj nesh” tha Baghaei për agjencinë Mehr News.
Sulmet nxitën një reagim të shpejtë nga Trupat e Gardës së Revolucionit Islamik (IRGC), me lëshime raketash dhe dronësh që shënjestruan Izraelin dhe disa baza amerikane në rajon, më pak se dy orë pas goditjeve. Baghaei theksoi se veprimet SHBA-Izrael përbëjnë një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare, duke ndodhur gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit dhe pak para Vitit të Ri Pers.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme hodhi poshtë pretendimet e presidentit amerikan Donald Trump se sulmet synonin të mbronin popullin amerikan. “Kjo është një gënjeshtër e hapur. Republika Islamike e Iranit ka theksuar gjithmonë përdorimin paqësor të energjisë dhe nuk ka nisur kurrë luftë”, iu është kundërpërgjigjur ai.
Baghaei paralajmëroi gjithashtu se Irani nuk do të kishte zgjidhje tjetër veçse të shënjestronte çdo vend rajonal që lejon SHBA-në dhe Izraelin të kryejnë sulme të mëtejshme kundër Iranit nga hapësira e tyre ajrore.
“Iranianët janë popull paqedashës dhe që kërkon paqen, por janë të palëkundur dhe të vendosur në mbrojtjen e dinjitetit, sovranitetit kombëtar dhe integritetit territorial, duke vepruar me gjithë fuqinë e tyre. Nuk ishte Irani ai që e nisi këtë luftë”, deklaroi ai.
