Minatorëve u propozohet të punojnë në fundjavë
Që një muaj puna në minierën e Trepçës është ndalur. Minatorët po paraqiten në punë çdo mëngjes, por në gjigantin e dikurshëm metalurgjik, nuk po punohet.
Kërkesa e vetme e minatorëve që të kthehen në nëntokë, është ekzekutimi i pagave. Por edhe pas ndryshimeve në menaxhment të ndërmarrjes, nuk është gjetur një zgjidhje.
Nga sindikata e minatorëve kanë bërë të ditur se janë në bisedime me kryeshefin e ri të ndërmarrjes, Faton Ahmeti, nga i cili thotë se kanë marrë një propozim.
“Një lloj propozimi, janë parapa disa pika, një prej pikave ka qenë me ardhë me punu në dy ditë të vikendit për me kriju të hyra shtesë për ndërmarrjen e që për minatorët ka qenë e pranueshme sepse po e shohim të gjithë se sitata është shumë e rëndë”, tha Ibrahim Jonuzi, Kryetar i Sindikatës së Minatorëve.
Por sipas tij, ende nuk është arritur një marrëveshje pasi që menaxhmenti nuk u ka dhënë një datë për ekzekutimin e pagave.
Kryesindikalisti ka ngritur shqetësimin se situata po rëndohet dhe se disa prej minatorëve nuk po paraqiten fare në punë, për shkak të pamundësisë për transport.
RTK ka provuar të marrë një përgjigje nga menaxhmenti i Trepçës rreth propozimit që ia kanë bërë sindikatës, por nuk ka përgjigjur gjatë ditës.
Ndërsa nga Ministria e Ekonomisë nuk janë përgjigjur lidhur me planin e veprimit që kanë kërkuar nga bordi dhe menaxhmenti i ndërmarrjes Trepça.
Pavarësisht insistimit të televizionit, nga kjo ministri kanë sugjeruar që t’i referohemi komunikatës së lëshuar javën e kaluar nga Qeveria e Kosovës, ku mes tjerash thuhet se Qeveria pret nga ndërmarrja që të sigurojë rritje të prodhimit e të hyrave dhe ulje të shpenzimeve, si mënyrën e vetme për të arritur stabilizim të gjendjes financiare të ndërmarrjes dhe kompensim të rregullt të punonjësve në mënyrë të qëndrueshme.