Krasniqi: Ura e Ibrit nuk mund të hapet pa lejen e KFOR-it

Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve politike, Milazim Krasniqi, në një shkrim në profilin e tij në facebook, theksoi se Ura e Ibrit mund të hapet vetëm nëse KFOR-i e lejon këtë hap.

Sipas tij, çdo përpjekje për hapjen e saj pa lejen e KFOR-it mund të shkaktojë incidente dhe viktima.

Ai shtoi se kushdo që nuk e kupton këtë, ose është i paedukuar, ose po punon për destabilizimin e Kosovës.

Krasniqi e bazon këtë në nenin 153 të Kushtetutës së Kosovës, i cili përcakton se mandati dhe kompetencat e KFOR-it janë mbi institucionet e Kosovës.

Shkrimi i plot i tij:

Ura e Ibrit mund të hapet nëse lejon KFOR-i. Nëse nuk lejon KFOR-i, ajo nuk mund ta hapet bash kurrqysh. Mund të ketë incidente, mund të shkaktohen viktima, ura nuk hapet. Kushdo që nuk e kupton këtë gjë, ose është injorant, ose punon qëlllimisht për destabilizimin e Kosovës. Vetëm shikoni çka thotë neni 153 i Kushtetutës së Kosovës dhe e kuptoni se mandati i KFOR-it është  mbi institucionet e Kosovës: “Neni 153 [Prania Ndërkombëtare Ushtarake] … Asnjë autoritet i Republikës së Kosovës nuk ka jurisdikcion të rishikojë, të pakësoj ose përndryshe të kufizoj mandatin, kompetencat dhe detyrimet e referuara në këtë nen.”

Ja edhe neni i plotë:Pavarësisht dispozitave tjera të kësaj Kushtetute, Prania Ndërkombëtare Ushtarake ka mandatin dhe kompetencat e përcaktuara nga instrumentet relevante ndërkombëtare, përfshirë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, datë 26 mars 2007. Kryesuesi i Pranisë Ndërkombëtare Ushtarake, në pajtim me Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, datë 26 mars 2007, është autoriteti final në zonën operative për sa i përket interpretimit të atyre aspekteve të marrëveshjes së përmendur që i referohen Pranisë Ndërkombëtare Ushtarake. Asnjë autoritet i Republikës së Kosovës nuk ka jurisdikcion të rishikojë, të pakësoj ose përndryshe të kufizoj mandatin, kompetencat dhe detyrimet e referuara në këtë nen. /Kosova.info/


Go to TOP