Millan Radoiçiq i lirë në veri të Kosovës

Përderisa gjykimi për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, po vazhdon në Prishtinë, Millan Radoiçiq, që nga heqja e urdhërarrestit për të, në muajin mars, gjendet në Mitrovicën e Veriut, një nga katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë avokati Zhivojin Jokanoviq, i cili, siç ka thënë, kohë pas kohe e përfaqëson atë.

“Ai nuk është i akuzuar për asgjë”, tha Jokanoviq.

“Ai gjendet në Kosovë gjatë gjithë kohës, në Mitrovicë, qëkur është hequr urdhërarresti për të”, theksoi Jokanoviq.

Radio Evropa e Lirë ka provuar që përmes Listës Serbe, partisë së Radoiçiqit, ta kontaktojë atë, por deri më tash nuk ka arritur.

Çfarë thotë aktakuza?

Millan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, parti kjo udhëheqëse e serbëve të Kosovës, si dhe afarist, bashkë më një afarist tjetër nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq, ndërlidhen me vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Ivanoviq ka qenë lider i subjektit opozitar Iniciativa Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia”.

Është vrarë para selisë së këtij subjekti në Mitrovicën e Veriut, nga të shtënat prej revoles, në janar të vitit 2018.

Aktakuza është ngritur kundër Nedelko Spasojeviqit (zyrtar i policisë), Marko Roshiqit (qytetar i Mitrovicës së Veriut), Silvana Arsoviqit (sekretare e Oliver Ivanoviqit të vrarë), Dragisha Markoviqit (zyrtar i policisë), Zharko Jovanoviqit (zyrtar i policisë) dhe Rade Basara (zyrtar i policisë).

Në mesin e të dyshuarve për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, përmenden edhe Zheljko Bojiq (shef i operativës së Policisë së Kosovës për rajonin e veriut), Milan Radoiçiq (afarist) dhe Zvonko Veselinoviq (afarist).

Të tre të dyshuarit kanë qenë në arrati kur Prokuroria e Kosovës ngriti aktakuzën e parë.

Në aktakuzë, Radoiçiq dhe Veselinoviq përmenden si “udhëheqës të grupit kriminal”, që planifikoi vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq.

“Deri më tash janë ngritur tre aktakuza dhe ata (Radoiçiq dhe Veselinoviq) përmenden që nga aktakuza e parë”, thotë Jovana Filipoviq, avokate e të akuzuarës Silvana Arsoviq.

Në pyetjen se a është ngritur ndonjëherë aktakuzë kundër tyre, Filipoviq thotë:

“Jo, ata nuk janë persona të akuzuar në këtë proces, sepse Kodi i procedurës penale i Kosovës ndalon ngritjen e aktakuzës kundër personave që nuk janë të qasshëm për organet e ndjekjes së Kosovës”, tha Filipoviq.

Pse nuk është arrestuar Milan Radoiçiq?

Policia e Kosovës, më 23 nëntor të vitit 2018, kreu aksion në veri të Kosovës, me qëllim të arrestimit të personave të dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Atëherë ishin arrestuar disa persona, por Milan Radoiçiq nuk gjendej në banesën e tij gjatë këtij aksioni të policisë.

Më pas, vet Radoiçiq i ishte drejtuar opinionit me një komunikatë, me pretendimet që “nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e Ivanoviqit” dhe se “në banesën e tij kishin shkuar vetëm me një qëllim – ta vrisnin”.

Gjithashtu ai porositi se nuk do t’i dorëzohej Policisë së Kosovës, ndërkaq për spekulimet lidhur me vendqëndrimin e tij, ai shkroi:

“Po ju them vetëm që jam afër, po pres dhe po vështroj”.

Për organet gjyqësore në Serbi, Milan Radoiçiq është i njohur që nga viti 2011. Asokohe, ndaj tij dhe Zvonko Veselinoviqit, ishte ngritur aktakuza me të cilën të dy akuzoheshin për përvetësimin e 32 kamionëve të Hypo Alpe Adria Leasing.

Aktakuza ishte ngritur pranë Gjykatës Speciale në Beograd dhe përkonte me kohën kur ishte marrë vendimi i Beogradit, që të nisë dialogun me Prishtinën dhe thirrjen për serbët nga veriu i Kosovës për të hequr barrikadat.

Që të dy, në vitin 2016, janë liruar me vendim të plotfuqishëm.

Çfarë theksohet për Radoiçiqin në aktakuzë?

Siç thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, të nëntorit të vitit 2020, në të cilën Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje, Radoiçiq është përshkruar si “udhëheqësi i grupit të organizuar kriminal”, që planifikoi në detaje vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe në të cilin grup mbizotëronte hierarkia me role të përcaktuara qartë të pjesëmarrësve.

Të akuzuarit ngarkohen se që nga viti 2014 e deri në vitin 2018, kanë qenë pjesë e grupit kriminal në krye me Milan Radoiçiqin dhe Zvonko Veselinoviqin dhe se në vazhdimësi, kanë provuar që ta vënë nën kontrollin e tyre Mitrovicën e Veriut.

Theksohet që të akuzuarit, me vetëdije dhe qëllimisht, kanë ndihmuar këtë grup kriminal me qëllim të kryerjes së veprës penale, vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Çfarë premtoi prokurori?

Prokurori Burim Qerkini, tha gjatë gjykimit, më 6 korrik, se në këtë proces do të ketë prova të qarta për organizimin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

“Ata që kryen vrasjen nuk gjenden para gjyqit. Identiteti i tyre është ende i panjohur”, ka thënë Qerkini, por gjithashtu ka theksuar që Prokuroria Speciale do të japë prova se të akuzuarit, të cilët janë të pranishëm në gjykatë, morën pjesë në heqjen e pengesave për vrasje, abuzuan me pozitën zyrtare, morën pjesë në bashkëpunimin me personat që kryen vrasjen.

A ka sqarim për heqjen e urdhrit për arrestim?

Kundër Radoiçiqit ka ekzistuar një urdhër për arrestim, i cili është lëshuar në gusht të vitit 2019, kur Abelard Tahiri, ministër i atëhershëm i Drejtësisë, pati thënë që “është kompletuar dosja e Milan Radoiçiqit për vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe se është dërguar me qëllim të lëshimit të një urdhërarresti ndërkombëtar”.

Urdhërarresti për Radoiçiqin, është shpallur për shkak se ai nuk ishte i qasshëm për organet e gjyqësisë së Kosovës, por ishte hequr në fillim të marsit të vitit 2021. Për atë se pse ka ndodhur kjo, askush në Kosovë nuk ka folur.

Informacionin për heqjen e urdhër arrestit për Radoiçiqin, nuk e ka komunikuar asnjë institucion i gjyqësorit, por për mediet lokale në Kosovë, këtë e kishte konfirmuar më herët gjykatësi Valon Kurtaj. Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të marrë një deklaratë nga Kurtaj.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, vlerëson që nuk ka kuptim që lidhur me rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, të përmendet në aktakuzë Milan Radoiçiq, si udhëheqës i gripit kriminal, ndërkaq që ndaj tij, deri më sot, prokuroria nuk ka ngritur aktakuzë.

Miftaraj konsideron që prokurori nuk ka fakte që të ngritë aktakuzë kundër Radoiçiqit, marrë parasysh që urdhri për arrestimin e tij është tërhequr.

“Nga pikëpamja e procedurës penale dhe legjislacionit aktual në Kosovë, arsyeja e vetme pse duhet të revokohet një urdhërarrest ndërkombëtar, është në rastet kur prokuroria refuzon vendimin për fillimin e procedurave penale kundër Radoiçiqit, për shkak të mungesës së provave se ai ishte i përfshirë në vrasje”, tha Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.

Për cilat pyetje nuk ka përgjigje?

Radio Evropa e Lirë u është drejtuar me pyetje Prokurorisë së Kosovës, prokurorit të rastit, Burim Qerkinit, Gjykatës Themelore në Prishtinë, Këshillit Prokurorial të Kosovës, Policisë së Kosovës, si dhe ish-prokurorit Sylë Hoxha, i cili në dhjetor të vitit 2019, pati ngritur aktakuzën e parë në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Përgjigjet që kanë kthyer, kryesisht kanë të bëjnë me hedhjen e përgjegjësisë te Gjykata Themelore e Prishtinës, pranë së cilës është duke u zhvilluar procesi gjyqësor për rastin Ivanoviq.

Në pyetjen se pse është kërkuar heqja e urdhrarrestit për Milan Radoiçiqin, përderisa në aktakuzë ai përmendet “si udhëheqës i grupit kriminal” që ka planifikuar vrasjen e Ivanoviqit, Prokuroria e Kosovës është përgjigjur shkurt, duke thënë “kontaktoni me gjykatën kompetente”.

Nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, thonë që nuk i komentojnë vendimet e gjykatës, duke shtuar “drejtojuni gjykatës që udhëheqë me rastin”.

Nga prokurori Burim Qerkini, nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe nga Policia e Kosovës, deri në publikimin e këtij teksti, nuk kanë ardhur përgjigjet.

Çfarë ka kërkuar partia e kryeministrit Kurti?

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti, në fillim të muajit mars të këtij viti, ka kërkuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës që të reagojë me rastin e vendimit që të hiqet urdhri për arrestim të Radoiçiqit.

Nga Qeveria e Kosovës nuk janë përgjigjur lidhur me atë se a e kanë sqaruar institucionet kompetente vendimin për Radoiçiqin, të cilin Vetëvendosje e kishte quajtur “krimineli më i madh i pasluftës”.

Radoiçiqi në Serbi

Që nga fundi i vitit 2018 e deri në heqjen e urdhër arrestit, Radoiçiq ka qëndruar në Serbi, ku në mënyrë të rregullt ka marrë pjesë në takimet me zyrtarë të lartë të atjeshëm, pasi që disa muaj pas vrasjes së Ivanoviqit, ishte zgjedhur nënkryetar i Listës Serbe, e cila në vitin 2013 ishte formuar me mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Lista Serbe sot e mbanë pushtetin në të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura në shkurt të këtij viti, Lista Serbe i ka fituar dhjetë ulëse në Kuvendin e Kosovës, që janë të garantuara për komunitetin serb, ndërkaq që në Qeverinë e Kosovës ka marrë Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, në krye të së cilës është Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe.

Gjithashtu, në krye të dhjetë komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovë, janë kuadrot e Listës Serbe.

Radoiçiq, si përfaqësues politik i serbëve në Kosovë, për herë të fundit është parë në seancën e Kuvendit të Serbisë, më 22 qershor, në të cilën presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte raportuar për Kosovën.

Në radhë është aktakuza e tretë

Në afat prej tre vjetësh, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur tre aktakuza për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Seanca përgatitore u mbajt vetëm në bazë të padisë së dytë dhe të tretë dhe të pandehurit Nedelko Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara, Silvana Arsoviq, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq u deklaruan të pafajshëm.

Aktakuza e fundit, në bazë të së cilës u mbajt seanca e parë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, më 6 korrik, në të cilën të gjitha palët kishin të drejtë të jepnin një deklaratë hyrëse, specifikon se katër të akuzuarit (Spasojeviq, Roshiq, Basara, Arsoviq) ishin pjesë e një grupi kriminal, i cili punoi për vrasjen e Oliver Ivanoviçit, ndërkaq që dy të tjerë (Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq) janë angazhuar për fshehjen e provave, gjegjësisht, kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare.

“Ekzistojnë prova bindëse se këta të katërtit kanë qenë pjesë e grupit të organizuar kriminal, i cili ka vepruar në Mitrovicën e Veriut që nga viti 2014 e deri në vitin 2018 dhe se ata janë përgjegjës për vrasjen e rëndë të politikanit serb Oliver Ivanoviq, më 16 janar të vitit 2018”, ka thënë prokurori Burim Qerkini, në fjalën e tij hyrëse.

Ai ka shtuar më tej se është e rëndësishme që të theksohet se ky grup i të akuzuarve nuk kishte vepruar si i vetëm, por se kishte “të tjerë”, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se ata morën pjesë në organizimin e vrasjes.

Sidoqoftë, ai gjithashtu theksoi se autorët e atentatit mbi Oliver Ivanoviqin janë ende të panjohur.

Prokuroria ka paralajmëruar se në përgjithësi, do të merren për t’u dëgjuar rreth 100 dëshmitarë.

Çfarë ka thënë më herët Prokuroria e Kosovës?

Aktakuzën e parë ndaj gjashtë personave në fjalë, Prokuroria Speciale e ka ngritur më 2 dhjetor të vitit 2019, përderisa ndaj Milan Radoiçiqit, Zvonko Veselinoviqit dhe Zhelko Bojiqit, është shpallur urdhër arresti ndërkombëtar, marrë parasysh se ata ishin në arrati.

Në aktakuzën e parë, thuhej që grupi i pretenduar kriminal, nuk ishte formuar rastësisht, por ka vepruar që nga viti 2011, ndërkaq që në krye të tij ishin pikërisht Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq.

Paraprakisht, në një nga konferencat për media, më 16 tetor 2019, në Prishtinë, me rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, prokurori special i atëhershëm, Sylë Hoxha, deklaroi se ekzistojnë grupe kriminale të organizuara mirë në Mitrovicën e Veriut, të udhëhequr nga Milan Radoiçiq, për të cilin ishte lëshuar një urdhërarrest ndërkombëtar.

“Tash po presim që ai urdhërarrest të zbatohet”, ka thënë në atë konferencë prokurori i atëhershëm Hoxha, në prag të ngritjes së aktakuzës së parë, më 2 dhjetor 2019.

Ai, atëherë paraqiti informacionin se i ashtuquajturi grup kriminal i Milan Radoiçiqit, kishte ndikim edhe në Policinë e Kosovës si dhe në strukturat e tjera komunale në Mitrovicë të Veriut.

Ndërkohë, në fund të dhjetorit të vitit 2019, Sylë Hoxha paraqiti aktakuzën e dytë të ndryshuar, por ai shpejt u tërhoq dhe çështja u mor nga kryeprokurori i ri special, Blerim Isufaj.

Në seancën e parë përgatitore, më 11 shkurt të vitit 2020, Isufaj tha që të pandehurit në çështjen e Oliver Ivanoviqit, vepruan si një grup i organizuar kriminal, i udhëhequr nga të pandehurit Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq.

“Të gjithë të pandehurit kanë vepruar në mënyrë të vazhdueshme dhe aktive në aktivitetet kriminale të grupit, duke ditur se në atë mënyrë do të kontribuonin në realizimin e aktiviteteve kriminale të grupit dhe në realizimin e përfitimeve financiare, të drejtpërdrejta ose jo të drejtpërdrejta apo përfitime të tjera, me qëllim të vendosjes së kontrollit mbi bizneset dhe politikën në Mitrovicën e Veriut”, theksoi Isufaj

Avokatja Jovana Filipoviq, e cila po mbron të akuzuarën Silvana Arsoviq, thotë se në periudhën vijuese, provat do të paraqiten duke marrë në pyetje dëshmitarët. Në nëntor të vitit 2020 u ngrit padia e tretë, pasi Gjykata e Apelit në Prishtinë e ktheu atë të mëparshmen në Prokurori për plotësim. Bazuar në aktakuzën e tretë, deri më tash është mbajtur një seancë në muajin shkurt, ku të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm, ndërsa, pastaj edhe seanca e parë, më 6 korrik, ku palët mbajtën një fjalim hyrës.

“Do të dëgjohen nga tre dëshmitarë brenda një dite. Ne kemi marrë tre mandate për muajin shtator”, tha Filipoviq për Radion Evropa e Lirë.

Çfarë i parapriu vrasjes së Oliver Ivanoviqit?

Oliver Ivanoviq ishte bartësi i listës “Liria, Demokracia, Drejtësia – Oliver Ivanoviq”, në zgjedhjet lokale të Kosovës, të cilat u mbajtën në nëntor të vitit 2017.

Gjatë fushatës parazgjedhore për ato zgjedhje lokale, për shkak të frikësimit të serbëve në veri të Kosovës, katër kandidatë nga lista e tij u tërhoqën, ndërkaq atij iu dogj makina në Mitrovicën e Veriut.

Asokohe, me 1.051 vota, ai fitoi një ulëse në Asamblenë Komunale të Mitrovicës së Veriut.

Gjithashtu, në fillim të vitit 2014, Ivanoviq ishte një nga kandidatët për kryetar të Mitrovicës së Veriut, kur u arrestua nën dyshimin për kryerjen e krimeve të luftës kundër civilëve shqiptarë të Kosovës, në vitet 1999 dhe 2000.

Në vitin 2016, ai u dënua me nëntë vjet burg. Gjykata e Apelit e Kosovës e urdhëroi një rigjykim, në shkurt të vitit 2017. Në prill, arrestimi i tij shtëpiak u hoq dhe ai u lejua të mbrohej nga liria.

Oliver Ivanoviq, kryetar i nismës qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia”, u qëllua për vdekje para ambienteve të partisë së tij, në Mitrovicën e Veriut, më 16 janar 2018. Ai u qëllua nga një automjet në lëvizje, Opel Astra, pa targa, i cili u gjet i djegur po atë ditë.

Përveç në Kosovë, hetimi për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, po zhvillohet nga Prokuroria Speciale e Serbisë, e cila nuk ka lëvizur përtej procedurës para hetimore, megjithëse presidenti serb Aleksandar Vuçiq, më 3 korrik 2019, ka thënë se “Beogradi mendon se e ka emrin e vrasësit”.

Me atë rast, ai gjithashtu tha se Milan Radoiçiq “nuk është lule”, por që ai nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

“Me gjithçka që morëm nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Agjencia e Informacionit të Sigurisë, mund të themi me siguri se Radoiçiq nuk mori pjesë në asnjë mënyrë në likuidimin e Oliver Ivanoviqit”, pati thënë atëherë presidenti i Serbisë.

Kosova dhe Serbia akuzojnë njëra-tjetrën se nuk kanë bashkëpunuar në çështjen e zbardhjes së vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Comments

Be the first to comment on this article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Go to TOP