Miftari: Kosova dhe Italia-Ura e Bashkëpunimit për NVM-të dhe Investimet e Qëndrueshme

Dr. Vehbi Miftari, Ambasador i Kosovës në Selinë e Shenjtë, thekson potencialin e sektorëve strategjikë dhe rolin e diplomacisë në forcimin e lidhjeve ekonomike dhe kulturore

Në një intervistë për revistën Interiorissimi, Ambasadori i Kosovës në Selinë e Shenjtë, dr. Vehbi Miftari, ka diskutuar mundësitë e bashkëpunimit ekonomik midis Italisë dhe Kosovës, me fokus të veçantë te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM-të). Ai theksoi se edhe pse Selia e Shenjtë nuk ka një rol ekonomik tradicional, ajo promovon vlera universale si paqja dhe zhvillimi i qëndrueshëm, të cilat krijojnë një klimë të favorshme për shkëmbime tregtare.

Miftari vuri në pah sektorët më premtues për investime italiane duke përfshirë bujqësinë, teknologjitë e informacionit, energjinë, turizmin dhe infrastrukturën. Ai përmendi projekte konkrete, si “NaturKosovo”, të mbështetura nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim Zhvillimor (AICS), që promovojnë turizmin e qëndrueshëm dhe krijojnë mundësi për bashkëpunim ndërmjet ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme nga të dy vendet.

Ambasadori theksoi rëndësinë e iniciativave kulturore dhe arsimore, si qendrat e kulturës italiane në Kosovë dhe përfshirja e italishtes në kurrikulat universitare, të cilat i afrojnë të rinjtë e Kosovës me kulturën dhe biznesin italian. Ai gjithashtu siguroi se Misioni i Kosovës në Selinë e Shenjtë do të ofrojë mbështetje për kompanitë italiane duke lehtësuar kontaktet me institucionet kosovare dhe duke rritur ndërgjegjësimin për mundësitë e investimeve.

Miftari përfundoi intervistën me një mesazh për NVM-të italiane: Kosova ofron mundësi të shumta për ata që janë të gatshëm të investojnë me vizion afatgjatë dhe Misioni i Kosovës është i gatshëm t’i mbështesë në këtë udhëtim drejt bashkëpunimit dhe prosperitetit të përbashkët. /Kosova.info/


Go to TOP