Miftaraj tregon arsyet ligjore: Pavarësisht vendimit të Kushtetueses, Osmanit s’i rrezikohet mandati
Ndonëse disa zyrtarë po e thonë të kundërtën, drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se edhe nëse Gjykata Kushtetuese vendos në favor të deputetëve Veton Berisha e Albert Kinolli, nuk rrezikohet mandati i presidentes Osmani.
Ai në një postim në Facebook, thotë se nëse ankesa e deputetëve në fjalë rezulton e suksesshme, atëherë mund të ketë revokim të mandatit të një deputeti nga partia Romani Iniciativa.
“Edhe nëse Gjykata Kushtetuese vendos pozitivisht sipas kërkeses së deputeteve Berisha dhe Kinolli të cilët kanë kontestuar kushtetutshmërinë e Aktgjykimit AA.nr.29/2021 të Gjykatës Supreme të Kosovës, si dhe Vendimit Anr.736/2021 të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), sipas praktikes së ndërtuar nga vet Gjykata Kushtetuese por edhe standardet ndërkombëtare lidhur me parimin e sigurisë juridike, nuk mund të rrezikohet mandati i Presidentes së Republikës apo qeverisë. Në rradhe të parë, ankesa e dorëzuar nga dy kandidatët për deputetë nëse rezulton e suksesshme, potencialisht mund të revokohet mandati i një deputeti nga partia Romani Iniciativa në dobi të kandidatit për deputet Veton Berisha, për shkak të dyshimeve potenciale për deformim të mekanizmit të ulëseve të garantuara, duke mos anuluar të gjitha votat që subjektet politike të komuniteteve joshumicë kishin fituar nga komunitetet tjera të cilave ata nuk i përkisnin”, ka shkruar ai.
