Me vitin e ri u lansua ueb faqja e  dramaturgut Ahmet Qirezi

E tërë veprimtaria e të ndjerit Ahmet Qirezi, dramaturg, aktor, gazetar dhe kritik i dramës dhe filmit, tashmë mund të gjendet në ueb faqen ahmetqirezi.com. Kjo u bë e ditur nga i biri i tij Arben Qirezi i cili e solli si dhuratë për Vitin e Ri.

Në këtë ueb faqe, mund të gjenden dhe shkarkohen dramat e tij, duke përfshirë edhe dorëshkrimin e dramës së njohur “Erveheja” (1966), ku mund te shihen përsiatjet e dilemat e tij si autor lidhur me ngjarjen e dramës.

Në këtë faqe mund të gjeni edhe dramat e tjera, siç janë “Çifqinjtë” (1960) “Vrasje e errët” (1962), dhe dramën monumentale “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” (1968).

Përveç kësaj, ueb faqja përmban edhe foto galeri interesante nga puna e tij si aktor në teatër, dramaturg e gazetar, si dhe vështrime e kritika e intervista lidhur me dramat e tij.

Është faqe me interes për trupa teatrore, lexues dhe studiues te dramës dhe gjuhës shqipe.

Ahmet Qirezi u lind në fshatin Qirez në vitin 1930 dhe rrjedh nga një familje veteranësh të arsimit dhe të përpjekjeve për liri. Familja Qirezi, e cila jetonte në qytetin e Vushtrrisë nga shekulli 19, u shpërngul më 1912 në fshatin e origjinës – Qirez – për shkak të angazhimit patriotik të Ahmet Qirezit (gjyshit), në krah të patriotit të madh Hasan Prishtina. Pas përpjekjeve dy-vjeçare kundër pushtuesit serb nëpër malet e Drenicës, Ahmet Qirezi iku në Turqi dhe la pas vetes gruan Salihen dhe të birin tre vjeç Tahirin për të mos i parë më kurrë sepse pas pak kohe vdiq atje. /Kosova.info/

Go to TOP