Me sporte, nxënësit zhvillojnë mirëqenien mendore, sociale e fizike

Lënda e edukatës fizike është njëra nga lëndët më të preferuara të nxënësve, të cilët vetë e pohojnë se ndikon në mënyrë pozitive që t’i largojnë ngarkesat nga lëndët e tjera.

Andaj për këtë nxënësit në shkollën fillore dhe të mesme të ulët “7 Marsi” në kryeqytet përveç 2 orëve në javë sa është e paraparë me plan programin e rregullt mësimor, e kanë zgjedhur edukatën fizike edhe si lëndë zgjedhore.

Në lëndën e edukatës fizike praktikohen shumica e sporteve me top: hendbolli, futbolli, basketbolli. Por tani vend të veçantë ka zënë edhe loja e shahut.

“Unë jam në futboll në klubin KF ‘Prishtina’, ushtroj edhe e di që është mirë për shëndetin dhe më pëlqen shumë të luaj futboll”, ka thënë Anila Bytyqi, nxënësja e klasës së tetë.

Melisa Bytyqi, nxënësja tjetër ka pranuar se edukata fizike po ndikon për relaksim edhe për lëndët e tjera mësimore.

“Mua shahu më pëlqen sepse më ndihmon të zhvillojë trurin tim dhe babi më ka mësuar shumë teknika të lojës së shahut”, ka thënë Diell Zogu.

Shëndeti fizik e me theks të veçantë ai mendor tek nxënësit është tejet i rëndësishëm, vënë në dukje drejtuesit dhe mësimdhënësit e shkollave siç e cilësojnë ata në kohën moderne të teknologjisë.

“Duke i shikuar rrethanat e jetës së sotme unë mendoj që lënda e edukatës fizike duhet të shtohet për edhe një orë”, ka thënë Shpresa Çitaku, drejtoreshë në shkollën “7 Marsi”.

“Problemin kryesor që e kam unë këtu në shkollë është se i kam 4 orë mësim zgjedhor, edhe pastaj të gjithë shkojnë edhe e zgjedhin atë si mësim zgjedhor. Nga aty e shoh që kënaqësia për me mbajt edukatën fizike është shumë e madhe”, është shprehur arsimtari i lëndës së edukatës fizike, Ilir Sopi.

Me zhvillimin e aktiviteteve nga fusha kurrikulare “Edukata fizike, sportet dhe shëndeti”, nxënësit përgatiten me përgjegjësi dhe aftësi për kuptimin e jetës si vlerë kryesore të rritjes dhe zhvillimit sa më cilësor të tyre si në formën individuale dhe atë kolektive.

Go to TOP