Me shitjen e çorapeve ndihmon “nënat tironse”

Në zyrën e saj të përkthimit ka më shumë çorape dhe papuçe sesa dokumente dhe dosje. E, pas tyre fshihet një nismë dhe një mesazh.

“Komuna e Parisit” njihet si një nga lagjet më të zhvilluara e më të pasura në Tiranë. Megjithatë, aty sheh çdo ditë gra të moshuara, që bëjnë kilometra të tëra rrugë nga fshatrat përreth, për t’i shitur çorapet dhe papuçet që i bëjnë vetë.

Ky kontrast i tërhoqi vëmendjen edhe përkthyeses së gjuhëve të huaja, Etleva Kondakçiu.

Në një rrëfim për Radion Evropa e Lirë, ajo tregon se sa herë që kalonte pranë këtyre zonjave në moshë, ndiehej keq për lodhjen e tyre, për orët e gjata të pritjes në trotuar vetëm për të shitur një palë të vetme çorape, dhe mendonte se si t’i ndihmonte.

Si nisi fushata për të ndihmuar “nënat tironse”?

Etleva Kondakçiu thotë se pjesa më e madhe e porosive është nga jashtë Shqipërisë.
Etleva Kondakçiu thotë se pjesa më e madhe e porosive është nga jashtë Shqipërisë.

“Ka qenë tetor 2019 kur nisa t’i blej papuçet e tyre. Mendoja edhe sa vite mund të punojnë [ato gra] e t’i sjellin këto punime që, pas disa kohësh, do të na mungojnë. Dhe, vendosa që një pjesë të fitimeve nga përkthimi, t’ua dedikoj atyre. Më pas t’i shisja me po atë çmim dhe kështu gjithnjë të kisha mundësi t’i ndihmoja duke ua blerë produktet”, thotë Etleva.

E nisi me një postim në rrjetet sociale dhe mori menjëherë mbështetje nga miqtë e saj të afërt, që ajo dëshiron t’i përmendë për t’i vlerësuar: Egla Mitre, Erisa Mitre, Jona Dividi, Arjada Lleshi, Zhaneta Çuni, Ardmir Doda. Të gjithë me profesione të ndryshme – juristë, përkthyes, mjekë etj. – por me qëllimin e njëjtë: mbështetje për njerëzit në nevojë.

“Vendosëm të bënim një panair me produktet e këtyre grave, t’i kombinonim punimet e dorës me çaj apo mjaltë, të bënim disa pako të vogla, por nuk ia arritëm sepse ndodhi tërmeti [në nëntor 2019]. Nuk e bëmë panairin, por e vijuam nismën [me shitjet] online. E quajtëm thjesht ‘Unë dhe Ti’”, rrëfen Etleva, e cila, gjatë karrierës së saj si përkthyese, ka përkthyer edhe vepra të shkrimtarëve të njohur, si: Amos Oz e Doris Lessing.

Një grua në Shqipëri që punon çorape dhe papuçe.
Një grua në Shqipëri që punon çorape dhe papuçe.

Etleva tregon se si nënë Sanija, nënë Hamideja e gra të tjera, që populli i njeh si “nënat tironse”, tani ia sjellin edhe në zyrë punimet e tyre të dorës.

“Më vjen mirë që i ndihmoj, por, nga ana tjetër, duke u shtuar përditë produkti që më sjellin, më duhet të angazhohem më shumë për t’i shitur. Do të habiteni, por pjesën më të madhe të porosive e kemi nga jashtë vendit. Sigurisht, një pjesë e madhe janë persona që më njohin dhe e dinë pse po e bëj këtë. Janë miq të mi nga Amerika, Anglia, Gjermania që i porosisin. Pastaj, ose ua dërgojmë, ose dikush vjen dhe i merr këtu. Kështu, zyra ime ka më shumë papuçe sesa dosje”, thotë Etleva.

Me kalimin e kohës, ajo vendosi t’i bëjë pjesë të nismës edhe vajzat e saj, Emën dhe Anën – binjaket 6-vjeçare.

Shumëkush i ka parë këto vogëlushe në rrugët e “Komunës së Parisit” apo te Liqeni Artificial në Tiranë, duke shitur papuçe shumëngjyrëshe.

Vajzat duke shitur çorape në Tiranë.
Vajzat duke shitur çorape në Tiranë.

Në fillim me ndrojtje, pa e kuptuar mirë se pse ishin aty. Por, të nxitura nga nëna e tyre, vogëlushet po zëvendësonin secilën “nënë tironse” që ulej në trotuarin pranë shtëpisë së tyre.

“Është shumë bukur t’i ndihmojmë njerëzit. Ato jetojnë me ata lekë, ne e kuptojmë këtë, por ka edhe njerëz që nuk e kuptojnë dhe nuk i blejnë papuçet. Më vjen gjynah kur i shoh që nuk kanë lekë, nuk kanë çfarë të veshin. Ato janë si ne, duan të kenë gjëra, rroba si ne. Duhet t’i ndihmojmë”, thotë Ema, e cila ndjek mësimet në klasën e parë.

Njësoj ndihet edhe motra e saj binjake, Ana.

“Jam e gëzuar me këtë punë që bëj, dhe sidomos kur arrijmë të shesim, se me këto lekë ne blejmë prapë papuçe të tjera dhe i ndihmojnë këto nëna”, thotë ajo.

Etleva tregon se përse ka vendosur t’i përfshijë vajzat e saj në këtë nismë:

“Mendoj se ka shumë rëndësi të kenë shembullin e dikujt që ka ndjeshmëri për të moshuarit, që për shumë arsye janë të dobët. Nuk ka të bëjë me moshën, por me kushtet ku ata jetojnë në Shqipëri. Të gjithë e dimë se sa janë pensionet dhe sa vështirë e kanë ta përballojnë jetesën. Përveç kësaj, dua të përçoj mesazhin se sado pak të angazhohemi, bëjmë shumë për buxhetin e këtyre familjeve të varfra”, thotë Etleva.

Një motiv tjetër është edhe ruajtja e traditës.

“Ato punime dore janë aq të bukura dhe duket se, pas pak kohësh, nuk do t’i kemi më, kur këto nëna të mos jenë. Dua që fëmijët e mi të rriten me këtë ndjeshmëri, ta vlerësojnë traditën, por edhe punën e ndershme. Të bëjnë jetë të qetë dhe t’i kthejnë sytë nga njerëzit e ndershëm të këtij vendi”, thotë përkthyesja.

Punime të grave nga Tirana.
Punime të grave nga Tirana.


Shumë banorë të zonave rurale në Shqipëri përfitojnë pensione minimale – rreth 9.000 lekë, apo më pak se 80 euro – pasi nuk kanë pasur mundësi të punojnë dhe t’i paguajnë kontribute shtetit.

Niveli i varfërisë në Shqipëri, në vitin 2019, ka qenë 21.8 për qind.

Në këtë prag dimri në Tiranë, ditët me diell po ua lënë vendin atyre me shi dhe të ftohta. Etleva, vajzat e saj dhe të gjithë ata që e mbështesin nismën e saj, me siguri, do të mund të shesin më shumë çorape e papuçe dhe, kështu, t’i ndihmojnë më shumë “nënat tironse”.

Go to TOP