Me protesta në Bagdad shënohet përvjetori i vrasjes së Soleimanit

Qindra protestues në Bagdad të Irakut brohoritën slogane anti-amerikane teksa morën pjesë në shënimin e përvjetorit të vrasjes së një komandanti të lartë iranian dhe një zyrtari të lartë të milicisë irakiane.

Gjenerali Qassem Soleimani ishte vrarë më 2020 në një sulm me dron të Shteteve të Bashkuara.

Protestuesit më 1 janar vërshuan rrugët në sheshin kryesor të Bagdadit dhe brohoritën “vdekje Amerikës”, teksa mbanin në duar fotografitë e gjeneralit iranian, Qassem Soleimani, që ishte udhëheqës i Forcave Quds të Gardës Revolucionare të Iranit dhe zëvendësit të tij irakian, Abu Hamid al-Muhandis.

Presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump kishte urdhëruar sulmin e 3 janarit të vitit 2020, ku u vra Soleimani. Sulmi me dron ishte në kundërpërgjigje ndaj disa sulmeve ndaj interesave amerikane në Irak.

Soleimani ishte konsideruar arkitekti kryesor i strategjisë ushtarake të Iranit në Lindjen e Mesme deh vrasja e tij rriti tensionet ndërmjet Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Pesë ditë pas vrasjes së Soleimanit, Irani sulmoi me raketa një bazë ajrore në Irak ku ishin të vendosura forcat amerikane dhe sulmoi edhe një bazë në afërsi të qytetit irakian, Irbil.

Më 31 dhjetor, Ministria e Jashtme iraniane postoi në Twitter se “Qeveria amerikane ka përgjegjësinë ndërkombëtare” për vrasjen, e cila u cilësua si “sulm terrorist”. Kjo ministri tha se “Shtëpia e Bardhë tani është përgjegjëse”, një referencë për administratën pasardhëse të Trumpit, të udhëhequr nga presidenti, Joe Biden.

Edhe pse koalicioni ndërkombëtar i udhëhequr nga SHBA-ja njoftoi për përfundimin e “misionit ushtarak” në Irak në dhjetor, rreth 2,500 trupa amerikane dhe 1,000 trupa të koalicionit vazhdojnë të jenë në Irak dhe ato trajnojnë forcat e sigurisë së Irakut.

Go to TOP