Me betim në Zot dhe atdhe për shtetin e Kosovës!

Shkruan: Florim ZEQA 

Shprehur në mënyrën figurative, nuk është që jam pro-pushtetit dhe kundër opozitës, por jam pro-të mirës dhe kundër të keqes. Jam pro-të mirës për faktin se e mira ngadhënjen çdo herë ndaj të keqes. Jam pro-të vërtetës dhe kundër gënjeshtrës sepse e vërteta çdo herë e mund gënjeshtrën me këmbë të shkurtra. 

Kthimi i besimit, objektiv i çdo politikani të ndershëm 

Degradimi i një shoqërie njerëzore fillon nga mosrespektimi i vlerave, vazhdon me abuzimin e pushtetit nga ana e politikanëve të papërgjegjshëm dhe kulmon me zhvatjen dhe vjedhjen e buxhetit të shtetit.

Angazhimi im në politikë për qëllim ka jo interesin personal, por ka mbrojtjen e interesit të përgjithshëm të qytetarëve (mërgimtarëve) pa dallime partiake, fetare apo ideologjike.

Thënë ndryshe, angazhimi im në politikë për qellim ka materializimin e ideve dhe projekteve disa vjeçare për ndërtimin e shtetit ligjor dhe demokratik, për arritjen e barazisë qytetare pavarësisht bindjeve politike apo pikëpamjeve ideologjike.

Kthimi i besimit të qytetarëve në shtetin e Kosovës, përkatësisht në kthimin e besimit në institucionet publike dhe shtetërore duhet të jetë objektiv dhe qëllim i çdo politikani në të dy nivelet e qeverisjes (qendrore dhe lokale). 

Nuk është punë e lehtë dhe e shpejt kthimi i besimit tek qytetarët me shpresa të humbura 

Por, kjo nuk është e pamundur. Me transparencë dhe llogaridhënie, me sinqeritet dhe dashuri ndaj vendit kthehet edhe besimi i qytetarëve.

E them këtë për faktin se, politikanët që e duan me shpirt dhe zemër shtetin sikurse shtëpinë e tyre nuk e vjedhin buxhetin e shtetit. Politikanët që i duan dhe i trajtojnë qytetarët e vendit njëjtë dhe në mënyrë të barabartë sikurse anëtarët e familjes së tyre, jo vetëm që nuk e lënë anash interesin e popullatës, e vënë në plan të parë interesin e qytetarëve, pastaj i shikojnë edhe interesat e tyre personale.

Për fatin e keq të vendit dhe qytetarëve, për dy dekada rresht, të gjithë pushtetarët në plan të parë e kishin interesin e tyre personal, përkatësisht pasurimin e tyre mbi kurrizin e popullatës së varfër.

Qytetarët priten dhe ju besuan gjatë të gjitha qeverive paraprake, duke e pritur të nesërmen më të mirë, e cila nuk ju erdhi asnjëherë. Mashtrimet serike të politikanëve nga njëra palë zgjedhje në tjetrën, i venitën të gjitha shpresat e qytetarëve, të cilëve e vetmja fije shprese ju ka mbetur në qeverisjen aktuale, e cila, dorën në zemër deri më tani shumë pak ka realizuar nga ajo që e kanë premtuar! 

Premtim dhe zotim moral para qytetarëve të vendit tim 

Me betim në Zot dhe Atdhe, i garantoj të gjithë qytetarët e vendit, se nëse e marrë besimin e tyre, do të jem gardian i zgjuar 24 orë në shërbimin e qytetarëve të vendit tim, pa llogaritur në asnjë përfitim personal. Do t’i shkrijë të gjitha energjitë intelektuale dhe përvojën time mbi dyzetvjeçare në shërbim të qytetarëve të mrekullueshëm dhe vendit tim të shenjt. Jam ai ushtari besnik i viteve të ’90-ta, mbrojtësi besnik i djersës së mërgimtarëve dhe shigjetari i kujdesshëm i abuzimit të gjithë pushtetarëve.

Go to TOP