Nismat për shkarkimin e Lumir Abdixhikut, produkt i efektit (shkatërrues) të Vjosa Osmanit në LDK!
Shkruan: Florim ZEQA
Si veprimtar i orëve të para të LDK-së, isha ndër të parët dhe mbase edhe i vetmi që e kundërshtova manovrën politike të Lumir Abdixhikut për kthimin e aktit të dorëheqjes në mocion votëbesimi, i cili për qëllim kishte ikjen nga përgjegjësia për humbjen serike të partisë!
Ofertë e sinqertë nga thellësia e shpirtit
I shtyrë nga dashuria e pafundme për vendin tim dhe dëshira e madhe për rikthimin e LDK-së në partinë e parë politike në vend, pa asnjë lloj ambicieje për pushtet apo privilegj politik, më 2 janar të këtij viti e paraqita publikisht dhe zyrtarisht kandidaturën time për Kryetar të LDK-së.
Kjo erdhi si rezultat i katandisjes së partisë drejt greminës së pafund dhe zhgënjimit të thellë të elektoratit të LDK-së ndaj humbjeve të njëpasnjëshme në zgjedhje.
Unë, Florim Zeqa, me një veprimtari 37-vjeçare në shërbim të LDK-së, si anëtar dhe drejtues i strukturave partiake përgjatë viteve të ’90-ta (Nënkryetar i Degës së Forumit Rinor të LDK-së në Klinë) dhe mbështetës i fuqishëm i filozofisë politike rugoviane, edhe nga largësia në mërgim, e shpreha gatishmërinë që ta marr përgjegjësinë e drejtimit të partisë më të vjetër në vend, jo pse kam ambicie personale, por për të ndihmuar ngritjen dhe rikthimin e LDK-së në vendin që e meriton.
Oferta ime nuk është rrugë e re dhe as e vjetër, por është kthim në ADN-në politike të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila për qëllim ka rikthimin e shkëlqimit të tri shkronjave të arta – LDK.
Dëshirë sublime për rikthimin e filozofisë politike rugoviane në LDK
E kam ditur dhe e kam pritur që kandidatura ime do të injorohet dhe anashkalohet në Kuvendin e improvizuar si “kuvend pune”, për faktin se nuk jam pjesë e asnjë grupi interesi apo klani, të cilat po i gërryejnë themelet e “Kalasë Rugoviane”!
Edhe përkundër anashkalimit të qëllimshëm, unë do të mbetem i vendosur në misionin dhe qëllimin jetësor për ringritjen e LDK-së.
Jam i pathyeshëm dhe i palëkundur në misionin tim!
Jam më i fuqishëm sesa të gjithë klanorët së bashku, sepse jam i pastër si loti!
Jam më i fuqishëm sesa Abdixhiku!
Jam më i drejtë dhe më i guximshëm sesa Vjosa Osmani me mbështetësit e saj morbidë!
Jam i guximshëm sepse jam i drejtë dhe i padjallëzuar!
Pa asnjë aferë korruptive apo kriminale në jetën time!
Pa asnjë përfitim personal dhe as familjar nga LDK-ja prej themelimit e deri në ditët e sotme!
Ndjehem i qetë dhe i relaksuar, me ndërgjegje të pastër dhe aspak i tronditur nga injorimi i kandidaturës sime nga ana e klanorëve, për arsye se kandidatura ime nuk ishte produkt i ambicieve dhe as i egos personale për t’u bërë “kryetar klasik” i LDK-së, por është dëshirë sublime dhe kërkesë gjithëpërfshirëse e elektoratit për rikthimin e filozofisë politike rugoviane në LDK.
Helmi kafshues i Vjosa Osmanit
Tani, pas humbjes së tretë radhazi të LDK-së nën drejtimin e Lumir Abdixhikut (të cilën nuk e ndihmon as rikthimi i të ricikluarës Vjosa Osmani), kanë filluar të dëgjohen zëra të shtirur për shkarkimin e kryetarit aktual!
Nisma për shkarkimin e Lumirit nuk janë gjë tjetër veçse produkt i efektit (shkatërrues) të Vjosa Osmanit në LDK, që i bie se pas kërkesave për shkarkimin e Lumirit qëndron pikërisht ajo që e katandisi në nivelet më të ulëta partinë për kënaqjen e egos personale.
Heshtja e Vjosës karshi kërkesave për largimin e Lumirit i vërteton prapaskenat e saj!
Megjithatë, është mirë që u vërtetua katërcipërisht se “përqafimet” false të Vjosa Osmanit, fillimisht ndaj Isa Mustafës, Albin Kurtit dhe, së fundmi, edhe ndaj Lumir Abdixhikut, u kthyen në kafshim helmues për të sipërcekurit!
E dalldisura pas pushtetit, pas dështimit të “fallit” për t’u rizgjedhur presidente, dëshiron të katapultohet në krye të LDK-së, të cilën e shkatërroi dhe poshtëroi më shumë se askush tjetër për këto 37 vjet të ekzistencës si subjekt politik.
Ka ardhur koha të largohen pengmbajtësit e LDK-së dhe varrmihësit e filozofisë politike rugoviane.
LDK nuk ka nevojë për njerëz që e përdorin partinë për interesa personale, grupore dhe klanore, por për njerëz që i shërbejnë asaj me dinjitet, përkushtim dhe ndershmëri.
LDK ka nevojë për reflektim të sinqertë e jo kamuflim, për përgjegjësi politike dhe hapje të një kapitulli të ri që rikthen besimin e anëtarësisë dhe të qytetarëve të Kosovës në përgjithësi.
Këtë do ta bëjë përmes një procesi të rregullt zgjedhor brenda partisë, nga poshtë-lart, përkatësisht nga aktivet, nëndegët dhe degët e LDK-së, për të nxjerrë bazën e shëndoshë deleguese për Këshillin e Përgjithshëm dhe 355 delegatët e Kuvendit Zgjedhor.
E garantoj elektoratin e LDK-së se do ta parandaloj ndarjen shkatërrimtare të partisë. Ju garantoj se, nëse zgjedhjet e radhës të jashtëzakonshme mbahen në vjeshtën e këtij viti, LDK-në do ta ngre në vendin e dytë, kurse pas katër vitesh do ta kthej aty ku e ka vendin, në partinë e parë politike në vend!
Florim Zeqa, kandidat për drejtimin e LDK-së dhe misionar i rikthimit të filozofisë politike rugoviane.
