Më 5 nëntor mbahet seanca në Gjykatën Supreme për padinë e OEK kundër ZRRE-së

Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës ka caktuar datën 5 nëntor 2025, në ora 10:00, për mbajtjen e seancës gjyqësore në Pallatin e Drejtësisë (Salla e Gjykimeve), lidhur me padinë e iniciuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Seanca ka për qëllim shqyrtimin e ligjshmërisë së një akti nënligjor të ZRRE-së, me të cilin, sipas OEK-ut, kompanitë janë nxjerrë në mënyrë të padrejtë në tregun e lirë të energjisë elektrike duke shkaktuar dëm për bizneset dhe qytetarët e Kosovës.

OEK thekson se ky vendim cenon interesat e përgjithshme ekonomike, rrit pasigurinë për konsumatorët dhe vendos barrë të padrejtë mbi bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat përbëjnë bazën e zhvillimit ekonomik të vendit.

Në këtë kontekst, OEK fton ekspertët e energjisë, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe akterët relevantë të kontribuojnë me analiza dhe dëshmi profesionale, në mënyrë që të vërtetohet se ky vendim është i dëmshëm dhe i pajustifikueshëm.

“Oda Ekonomike e Kosovës beson fuqishëm se vetëm përmes transparencës, përfshirjes dhe zërit të përbashkët të qytetarëve dhe bizneseve mund të mbrohen interesat publike dhe të sigurohet një treg energjie i drejtë dhe funksional në Kosovë,” thuhet në njoftimin e OEK-ut. /Kosova.info/


Go to TOP