MD-ja kundërligjshëm ka shkurtuar afatin për konsultim për Projektligjin për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme

Organizata Demokraci Plus  D+) ka konsideruar se Ministria e Drejtësisë jashtëligjshëm ka shkurtuar aftin për konsultim me publikun për Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pastrisë s Pajustifikueshme.

Ministria e Drejtësisë ka vendosur në platformën e konsultimeve publike “Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme”,  dhe për pranimin e konsultimeve me shkrim ka përcaktuar afatin prej vetëm njëmbëdhjetë ditë kalendarike ndërsa llogaritur si ditë punë janë vetëm shtatë ditë, nga data 10 dhjetor deri më 20 dhjetor 2021.

“Vendosja e një afati kaq të shkurtër për pranimin e komenteve me shkrim nga publiku për një projektligj kaq të rëndësishëm, është në kundërshtim me Rregulloren e Qeverisë nr. 05/2016 për standardet minimale për procesin e konsultimit publik (Neni 9, pika 1.1), ku përcaktohet se organi propozues i projektligjit (në këtë rast Ministria e Drejtësisë), duhet t’i mundësojë publikut kohë të mjaftueshme për komente, jo më pak se pesëmbëdhjetë (15) ditë pune që nga data e njoftimit për hapjen e konsultimit me shkrim. Gjithashtu sipas pikës 1.2 të të njëjtit nen, për akte veçanërisht komplekse ose të rëndësishme, afati për dërgimin e komenteve mund të zgjatet deri në 60 ditë kalendarike”, thuhet në një reagim të D+.

Sipas kësaj organizate, shkurtimi i afatit për konsultim me publikun për këtë projektligj në shtatë ditë pune nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, përveçse është në kundërshtim me Rregulloren e Qeverisë, minon besimin e publikut në gjithë procesin e verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme.

“Për më shumë, duke pasur parasysh se projektligji në fjalë mbulon një çështje komplekse dhe të rëndësishme e cila po ashtu nuk është rregulluar më herët në Kosovë, projektligji është dashur të lihet për konsultime publike të paktën për pesëmbëdhjetë ditë pune. Andaj, i bëjmë thirrje Qeverisë që të zgjasë afatin për të dhënë kohë të mjaftueshme për konsultime dhe kontribut me shkrim nga publiku”, thuhet në përfundim të reagimit. 

Go to TOP