Mbyllen kalimet kufitare ShBA-Kanada

Katër pika kufitare midis ShBA-së dhe Kanadasë janë mbyllur pasi një automjet shpërtheu në një pikë kontrolli në një urë pranë Ujëvarës së Niagarës.

Zyra në terren e FBI-së në Buffalo tha se po hetonte shpërthimin, i cili ndodhi në anën amerikane të Urës Rainbow, e cila lidh të dy vendet përtej lumit Niagara.

“Kjo është padyshim një situatë shumë serioze në Ujëvarat e Niagarës”, tha Kryeministri i Kanadasë Justin Trudeau.

“Ne po e marrim këtë jashtëzakonisht seriozisht”, shtoi ai.

Trudeau tha se po mendohet që të vendosen masa shtesë në pikat kufitare në të gjithë Kanadanë.

Ndërsa Shtëpia e Bardhë tha se po monitronte nga afër situatën, dhe se zyrtarët e zbatimit të ligjit ishin në vendngjarje dhe po hetonin.

Disa foto dhe video të postuara në rrjetet sociale, tregojnë se një kabinë sigurie ishte përfshirë nga flakët.

Videot treguan se zjarri ishte në një zonë të Doganës dhe Mbrojtjes Kufitare të ShBA-së, në lindje të pikës kryesore të kontrollit të automjeteve.

Mike Guenther tha se pa një automjet që po shkonte me shpejtësi drejt vendkalimit nga ana amerikane e kufirit, kur ajo u devijua për të shmangur një makinë tjetër, u përplas në një gardh dhe shpërtheu.

Ivan Vitalii, një ukrainas që vizitonte Ujëvarat e Niagarës, tha se ai dhe një mik ishin pranë urës kur “dëgjuan diçka të përplasej”.

“Ne pamë zjarr dhe tym të madh e të zi”, deklaroi ai.

Kathy Hochul, guvernatorja e Nju Jorkut, tha se ajo ishte informuar për incidentin dhe ishte “duke monitoruar nga afër situatën”.

Doug Ford, kryeministri i Ontarios tha se “Zbatimi i ligjit tonë provincial është i angazhuar në mënyrë aktive në vlerësimin e situatës. Ata po punojnë me zbatimin e ligjit vendas dhe po ofrojnë mbështetje sipas nevojës.”

Zyrtarët e agjencisë kufitare në Shtetet e Bashkuara nuk kishin asnjë koment të menjëhershëm, ndërsa homologët e tyre kanadezë nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment.

Ura Rainbow është një nga katër pikat kufitare që lidh Ontarion me Nju Jorkun perëndimor.

Pikat tjera janë Lewiston, Whirlpool dhe Peace Bridge. Të katër vendkalimet thuhet se u mbyllën pas incidentit.

Go to TOP