Mbrojtja e Jakup Krasniqit: Ai nuk do duhej të akuzohej fare
Në ditën e tretë, mbrojtja e ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi e ka filluar deklaratën hyrëse për rastin e tij.
Sipas avokates, Jakup Krasniqi nuk do të duhej të akuzohej fare nga Gjykata Speciale dhe se sipas saj ZPS, ka dështuar në përpjekjen e saj të jap argumente për fajësinë e tij.
“Kam besim që gjatë gjithë këtij gjykimi ju do të shihni si prokuroria ka dështuar në mënyrë të dukshme në përpjekjen e saj për të provuar çështjen kundër Krasniqit, do të shikoni po ashtu se ai nuk do duhej të akuzohej fare”, ka thënë ajo.
Avokatja u shpreh se Krasniqi gjatë kohës sa shërbente si zëdhënës i UÇK-së, nuk e ka përdorur asnjë pseudonim, dhe se gjithçka ka qenë publike në lidhje me të dhe deklaratat që ai ka dhënë.
Tutje, ajo i përmendi rastet kur Krasniqi kishte dëshmuar për çështjen e Fatmir Limajt, Ramush Haradinajt dhe në disa çështje të vitit 2018.
Atë kohë, sipas avokates Krasniqi nuk ishte dyshuar për ndonjë krim, kurse tash krimi themelor i çështjes ndaj tij ka të bëjë me ato krime ku ai nuk ishte i dyshuar.
“Ai dëshmoi në çështjen Limaj në vitin 2005 dhe në çështjen Haradinaj në 2007, askush nuk sugjeroi që ai ishte i dyshuar apo i lidhur me ndonjë krim. Krasniqi ka dhënë dëshmi si dëshmitar në dy çështje të tjera në vitin 2018, përsëri nuk ka pasur sugjerime se ai ishte i dyshuar apo fajtor për ndonjë krim, edhe pse krimi themelor i asaj çështje është bazë e krimit në këtë çështje gjyqësore”, ka thënë ai.
Ajo e kritikoi Gjykatën Speciale, edhe për mënyrën e arrestimit dhe bastisjes së shtëpisë së tij. Sipas saj Krasniqi ka qenë vazhdimisht bashkëpunues me gjykatën dhe se nuk ka pasur nevojë të arrestohej në atë mënyrë.
Avokatja e Krasniqit ka thënë se ai ka pasur rol të zëdhënësit të UÇK-së dhe se nuk ishte përgjegjës për funksionet në çështjet operacionale ushtarake.
Ndër të tjera ajo ka thënë aktakuza e prokurorisë se Krasniqi ishte komandant me kontroll efektiv bie poshtë.
“Krasniqi nuk kishte kompetenca apo përgjegjësi që kërkon t’i ngarkojë prokuroria. Është gabim insistimi i Prokurorisë se Jakup Krasniqi ishte përgjegjës për krimet nga të cilat gjeografikisht ishte i largët”, ka thënë ajo.
