MBPZHR/AUV mohon pretendimet për favorizime dhe shpërdorim

Ministria e Bujqësisë, e Pylltarisë dhe e Zhvillimit Rural (MBPZHR), përmes Agjencisë së Ushqimit dhe të Veterinarisë (AUV), ka reaguar ashpër ndaj dezinformatave dhe shpifjeve të publikuara në disa media, lidhur me procesin e funksionalizimit të mbetjeve shtazore dhe përzgjedhjen e kompanisë fituese në këtë projekt.

Në një demant zyrtar, MBPZHR thekson se në dokumentin “Termat e Referencës” nuk thuhet që kompania duhet të përpunojë saktësisht 20.000 tonë nënprodukte në vit në fabrikën në fjalë, porse ajo duhet të dëshmojë përvojë me këtë sasi për të provuar kapacitetin profesional dhe teknik.

Ministria sqaron se në thirrje kanë pasur të drejtë të aplikojnë të gjitha kompanitë që plotësonin kriteret ligjore dhe se kompania fituese ka paraqitur dokumentacion të rregullt si pjesë e një konsorciumi me mbi 20 vite përvojë në fushën përkatëse. Konsorciumi është i regjistruar ligjërisht me numër biznesi dhe me marrëveshje të noterizuar, siç kërkohet nga kriteret.

Lidhur me pretendimet për çmimin e qirasë, MBPZHR deklaron se metodologjia e përcaktimit është bazuar në vlerësimin zyrtar të pronës në atë zonë nga Ministria e Financave duke sqaruar se toka pa destinim të caktuar nuk përfshihet në çmim, pasi nuk shfrytëzohet për ndonjë aktivitet të drejtpërdrejtë.

Për më tepër, Ministria rikujton se sipas Ligjit për pyje, qiraja për këso prone mund të zgjasë deri në 30 vite me mundësi vazhdimi dhe se nuk mund të bëhet krahasim i vlerës së pronës në Drenas me atë në zona urbane si Ulpiana.

Sipas të dhënave zyrtare për vitin 2024, janë therur 67.100 krerë kafshë me një mesatare peshe prej 400 kg, nga të cilat 12% përbëjnë mbetje të përpunueshme si nënprodukte. Bazuar në këto shifra, subvencionimi vjetor për këtë aktivitet varion nga 400.000 deri në 600.000 euro, shumë më pak sesa është pretenduar publikisht.

Në fund të reagimit, MBPZHR konfirmon se të gjithë dokumentacionin e procesit ia ka dorëzuar organeve të hetuesisë dhe se tashmë dosja është nën hetim. “Presim që organet e drejtësisë të japin fjalën e fundit”, thuhet në reagim.

Ky demant vjen si kundërpërgjigje ndaj raportimeve që, sipas MBPZHR-së, janë tendencioze, të pavërteta dhe të qëllimshme për të njollosur një proces tërësisht ligjor dhe transparent. /Kosova.info/


Go to TOP