Mbi 900 dosje të krimeve të luftës, Haxhiu akuzon EULEX-in e UNMIK-un: Qëllimisht s’i kanë trajtuar këto lëndë

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka mbajtur ditën e dytë të konferencës ndërkombëtare për dhunën seksuale në konflikt, me rastin e 25-vjetorit të saj.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deklaroi se punën që duhej ta bënin institucionet për trajtimin e këtyre rasteve e kanë kryer organizatat joqeveritare. Ajo kritikoi UNMIK-un dhe EULEX-in për mos trajtimin e krimeve siç duhet, duke theksuar se dosjet e krimeve të luftës janë injoruar qëllimisht, megjithëse viktimat kanë treguar besim dhe kanë rrëfyer përvojat e tyre.

“Atë që institucionet nuk e bënë me kohë, e realizuan organizatat e shoqërisë civile. Kemi nisur punën dy vite më parë, edhe pse është vonë, 25 vite pas konfliktit. As UNMIK-u as EULEX-i nuk i kanë trajtuar krimet siç duhej, dhe për këtë s’kemi parë drejtësi nga këto misione.”

Ish-prokurorja speciale, Drita Hajdari, tha se nga viti 2016 deri në vitin 2018 nuk ka pasur raste të raportuara për dhunë seksuale gjatë konfliktit, por një rast doli kur një e mbijetuar u paraqit me guxim tek prokuroria. Ajo përmendi sfidat e mbrojtjes së identitetit të viktimave dhe vështirësitë gjatë procesit gjyqësor, por theksoi se dënimi përfundoi me 13 vjet burg për kryerësin.

Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti, theksoi se viktimat e dhunës seksuale nuk do të gjejnë paqe pa mbështetje dhe drejtësi.

Go to TOP