Mbi 1600 të zhdukur, Gara: Sfidë, mungesa e informacioneve të besueshme
Të premten shënohet Dita Ndërkombëtare për Personat e Zhdukur. Kjo ditë edhe këtë vit e gjen Kosovën me mbi 1600 persona për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë prej dekadash. Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur, tha se sfidë në këtë proces vazhdon të mbetet mungesa e informacioneve të besueshme.
Gara tha se në këto 25 vite të pasluftës Republika e Kosovës, shoqëria kosovare dhe institucionet bashkohen me boten demokratike duke ndjerë bashkë gjithmonë me familjarë të personave të zhdukur në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur.
“Kjo ditë për shtetin e Kosovës ka një dimension të veçantë me që Kosova edhe 25 vite pas luftës pret zbardhjen e fatit dhe të vendndodhjes edhe të 1600, më saktësisht të 1595 personave fati i të cilëve nuk dihet, por që vazhdojnë të jenë në listën e personave të zhdukur”, tha Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur në emisionin ”Info Plus” të RTK-së.
Sipas tij, sfidë vazhdon të mbetet mungesa e informacioneve të besueshme.
“Në këtë datë ne do të bashkohemi në thirrjen e familjarëve të personave të zhdukur për partnerët ndërkombëtarë që janë pjesë e këtij procesi që të shtojnë trysninë ndaj Beogradit zyrtar që të bashkëpunojë për të vënë në dispozicion të dhënat nga arkivat e tyre. Nga përvoja e deritanishme në kuptimin e hapjes së pesë lokacioneve të varrezave masive në territorin e Serbisë, por edhe gërmimet që janë realizuar në Kosovë, është konfirmuar se në arkivat e Serbisë si ato të ushtrisë jugosllave dhe të policisë serbe vazhdojnë të jenë të dhënat, skicat dhe informatat mbi bazën e të cilave ne do të mund të kishim progres më shumë në këtë proces”, tha ai.
Gara theksoi se edhe në aktivitetet që po realizohen në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Asociacionit të Familjarëve të Personave të Zhdukur, bëhet përpjekje që të nderohen dhe të kujtohen të gjithë ata që mungojnë, por edhe të sensibilizohet opinioni ndërkombëtar që të shtohet presioni ndaj institucioneve të Serbisë.
Ai bëri të ditur se sot ka filluar përgatitja në terren në një lokacion që është mes zonës së Novi Pazarit dhe Tutinit, në afërsi të një deponie të mbeturinave.
“Është një prej tri lokacioneve që është potencuar në takimet e fundit në të cilat ne do të mund të rikthehemi këtë vit. Edhe këtë lokacion po e marrim pak me rezervë për shkak se deri më tani edhe për këtë lokacion dhe lokacionet tjera që presim të rikthehemi nuk është që pala serbe ka ndarë informata nga arkivat e tyre”, nënvizoi Gara.