Mbahet takimi ministror për integrimin e romëve, merr pjesë Kosova

Nën patronatin e qeverisë gjermane, ministrja për Evropë, Anna Lührmann, dhe në bashkëpunim me Këshillin e Evropës, u mbajt takimi i pestë ministror kushtuar integrimit të romëve në kuadër të Procesit të Berlinit. Takimi ishte një mundësi për shkëmbimin e përvojave, analizën e rezultateve të arritura dhe identifikimin e sfidave në zbatimin e Deklaratës së Poznanit.

Temat kryesore përfshinin punësimin, arsimin, strehimin dhe qasjen në shërbimet shëndetësore për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian.

Qeveria e Kosovës, e cila u përfaqësua nga Emilija Rexhepi, zëvendëskryeministre për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, është përfshirë në mënyrë aktive në zbatimin e Deklaratës së Poznanit, duke vendosur objektiva të larta dhe ndërmarrë masa konkrete për përmirësimin e kushteve të jetesës së komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.

Duke folur për Rezultatet në zbatimin e Deklaratës së Poznanit, Rexhepi ka theksuar se Kosova ka arritur përparim të dukshëm përmes masave konkrete në fushat e punësimit, arsimit, strehimit dhe luftës kundër diskriminimit.

“Qeveria do të vazhdojë të punojë për këto prioritete për të siguruar përparim të qëndrueshëm dhe arritjen e objektivave të vendosura në kuadër të Procesit të Berlinit. Shpreh mirënjohjen time për të gjithë partnerët që kanë mbështetur punën tonë dhe kanë kontribuar në përmirësimin e jetës së komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë, dhe përshëndes të gjithë ministrat pjesëmarrës në këtë tryezë nga shtetet tona fqinje: Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria dhe Serbia”, thuhet në njoftimin e Zyrës së zv/kryeministres Emilia Rexhepi.


Go to TOP