MAShTI shkel Ligjin me Arbër Salihun – mbi një vit mban pozitën e zv/drejtorit të AKK-së

Ndonëse kanë kaluar mbi 1 vit e tre muaj që kur Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka marrë vendim që Arbër Salihun ta emërojë zëvendësues të drejtorit (lexo ushtrues detyre) të Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve (AKK), kjo pozitë ende nuk është plotësuar me atë të rregullt.

Në këtë mënyrë, MAShTI ka shkelur Ligjin për Zyrtarët Publikë, sipas të cilit në kapitullin III, ushtruesja/i e detyrës dhe praktikantja/i, Neni 35, përcaktohet:

“3. Zyrtarja/i publik nuk mund të caktohet si ushtruese/i detyre më gjatë se gjashtë (6) muaj. Kur pozita nuk mund të plotësohet brenda afatit gjashtë (6) mujor, ky afat mund të zgjasë më së shumti edhe për gjashtë (6) muaj të tjerë”.

Arbër Salihu, në pozitën e zëvendësuesit të drejtorit të AKK-së, ishte emëruar nga MAShTI me vendimin e 21 nëntorit 2022.

Në arsyetimin e vendimit të MAShTI-t, të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se vendimi ka ardhur pas konsultave të brendshme.

“Duke u bazuar në dispozitat e shënuara më lartë, pas konsultave të brendshme të zhvilluara, në funksion të përmbushjes së detyrave dhe përgjegjësive të drejtorit të Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve (AKK) me përgjegjësi dhe profesionalizëm për periudhën deri në emërim të Drejtorit të AKK, u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi”, thuhet në vendim.

Sipas gjetjeve në faqen publike, pas atij vendimi nuk është hapur konkurs për këtë pozitë.

Lidhur me këtë rast, “Betimi për Drejtësi” tash e shtatë ditë ka dërguar pyetje në këtë Ministri, por të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në publikimin e këtij artikulli. Gjatë ditës, gjithashtu është telefonuar edhe Salihu për të marrë një deklaratë nga ai, por i njëjti nuk është përgjigjur.

Go to TOP