Mas/akra në Cetinje: Sulmuesi Aco Martinoviq ndërron jetë gjatë transportit për në spital
Ministri i Punëve të Brendshme të Malit të Zi, Danilo Sharanoviq, ka konfirmuar se Aco Martinoviq ka ndërruar jetë gjatë transportit për në Qendrën Klinike të Malit të Zi. Ai theksoi se operacioni policor për kapjen e Martinoviqit ka përfunduar me sukses, sipas raporteve të mediave malazeze. Sharanoviq sqaroi se Martinoviq kishte tentuar të vetëvritej, por nuk kishte vdekur menjëherë.
Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Drejtorisë së Policisë, Llazar Shqepanoviq, informoi se Martinoviq u gjet në vendbanimin Humci. Shqepanoviq shtoi se motivi i vrasjeve ende nuk dihet, ndërsa viktimat ishin shokët dhe kumbarët e Martinoviqit. Ai gjithashtu njoftoi se të plagosurit janë në gjendje stabile.
Sot, në Cetinje ka ndodhur një krim masiv ku së paku 10 persona, përfshirë dy fëmijë, janë vrarë. Mjekët në Qendrën Klinike në Podgoricë po luftojnë për jetën e katër personave të tjerë. Martinoviqi e filloi masakrën në tavernën “Velestovo” pranë Qendrës Sportive në hyrje të Cetinjes, ku vrau katër persona. Më pas, në tre lokacione të tjera në qytet, ai vrau të paktën shtatë persona të tjerë, përfshirë tre gra dhe dy djem, dy vëllezër të moshës 10 dhe 13 vjeç.
