Marrëveshje bashkëpunimi mes Bibliotekës Kombëtare dhe Institutit “Ali Hadri”
Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” njofton se sot, në ambientet e saj, u nënshkrua një marrëveshje e rëndësishme bashkëpunimi mes Institutit të Historisë “Ali Hadri”, përfaqësuar nga Teuta Shala-Peli dhe Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, përfaqësuar nga drejtoresha e përgjithshme, Blerina Rogova – Gaxha.
Sipas njoftimit, qëllimi i kësaj marrëveshjeje është forcimi i lidhjes institucionale në fushat e historisë, trashëgimisë kulturore dhe shkencës, përmes këmbimit të literaturës profesionale dhe shkencore, bashkëpunimit në projekte shkencore e kulturore, promovimit dhe prezantimit të veprave historike dhe kulturore, organizimit të aktiviteteve dhe ekspozitave të përbashkëta, si dhe mbështetjes për studiues, studentë, nxënës dhe institucionet arsimore e kulturore.
“Ky bashkëpunim synon të nxisë bashkëpunimin e institucioneve në pasurimin e fondeve dhe të fuqizojë njohuritë mbi trashëgiminë tonë të çmuar kulturore dhe historike”, thuhet në njoftim. /Kosova.info/
