Maresca: Chelsea synon ta mbyllë vitin 2025 në mënyrën më të mirë

Chelsea po kërkon rikthimin te fitoret dhe një fund pozitiv të vitit 2025, pas dy ndeshjeve të fundit pa rezultat të dëshiruar në Premier League.

Trajneri Enzo Maresca ka thënë se skuadra është e vendosur të reagojë, duke nisur nga ndeshja në shtëpi ndaj Bournemouth.

Skuadra londineze aktualisht renditet në vendin e pestë në kampionat. Në ndeshjen e fundit, Chelsea ka humbur ndaj Aston Villa, edhe pse e ka pasur epërsinë, dhe tani ndodhet trembëdhjetë pikë larg liderit, Arsenal.

“Është bërë shumë e rëndësishme ta mbyllim vitin në mënyrën më të mirë. Do të jetë një tjetër ndeshje e vështirë, sepse të gjitha janë të tilla. Por ne duhet të fitojmë sa më shpejt”, ka deklaruar Maresca për gazetarët.

Trajneri italian, i cili këtë vit e udhëhoqi Chelsea drejt titullit kampion në Kupën e Botës për Klube, është shprehur i kënaqur me paraqitjen e ekipit në pjesën e parë ndaj Aston Villa, ku Chelsea e ka dominuar lojën dhe nuk ka lejuar asnjë goditje në portë.

“Duhet të kemi besim dhe të mendojmë se mund t’u afrohemi sërish skuadrave që janë përpara nesh”, ka shtuar ai.

Megjithatë, në pjesën e dytë Aston Villa ka reaguar, me Ollie Watkins që ka shënuar dy gola dhe i ka dhënë ekipit të tij fitoren e njëmbëdhjetë radhazi në të gjitha garat.

“Kur diçka ndodh vazhdimisht, nuk është rastësi. Duhet ta kuptojmë pse, pavarësisht nëse jemi duke fituar, barazuar apo humbur, sapo pranojmë gol e humbim pak kontrollin e lojës. Kjo është diçka që duhet analizuar”, ka thënë Maresca.


Go to TOP