Mamografi e re në Dardani – Rama: Kujdes më i afërt dhe falas për çdo grua në Kryeqytet

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar për vendosjen e mamografit të katërt në Kryeqytet, këtë herë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në lagjen Dardania. Sipas tij, ky është një hap tjetër konkret drejt fuqizimit të kujdesit shëndetësor për gratë duke ofruar shërbime falas dhe më të afërta me qytetaret.

“Ky nuk është vetëm një investim në pajisje mjekësore, është një angazhim për ta sjellë kujdesin bazik më afër çdo gruaje dhe pa pagesë,” theksoi Rama. Ai shtoi se gratë e Kosovës nuk duhet të zgjedhin më mes kujdesit për veten dhe detyrimeve ditore, e as të presin në radhë të gjata apo të udhëtojnë jashtë vendit për ekzaminime bazike.

Ky investim vjen si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Komunës së Prishtinës për ndërtimin e një sistemi shëndetësor që vë në qendër barazinë, dinjitetin dhe shërbimet publike cilësore për të gjithë.

“Kjo është vetëm një hap i radhës, por është një hap i drejtë dhe i domosdoshëm,” përmbylli kreu i komunës. /Kosova.info/


Go to TOP