Malushaj kërkon të hetohet vendimi i ZRRE-së
Hamdi Malushaj nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë që është edhe pronar i dy kompanive, në një intervistë për RTK ka thënë se duhet të hetohet vendimi i ZRRE-së për kalimin e bizneseve të mëdha në tregun e lirë energjetik që pritet të nisë nga qershori i këtij viti.
Në intervistën e transmetuar në “Info Plus “ të RTK-së, Malushaj tha se për 200 mijë euro dy kompanive të mëdha pritet tu rriten shpenzimet pas kalimit ne tregun e lirë energjetik.
Ai tha se dyshon në vendimin e ZRRE-së dhe për këtë kanë pasur takim edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
“Unë dyshoj në vendimin e ZRRE-së. Dje jemi takuar me kryeministrin dhe ia kam numëruar nenet që shkelen në ligj, është neni 5, 22, neni 36, 23, 24, 49 e shumë të tjera. Tregu i liberalizuar është gjetur në vakum sikur në vjedhje të kohës kur nuk ka parlament, sepse ZRRE-ja i përgjigjet parlamentit. Kemi kërkuar të bëhet një komision që auditon vendimin e ZRRE-së e duhet të jetë transparent”, tha ai.
Sipas tij, bizneset duhet të bëhen bashkë që të mbrohen nga ky vendim.
“Unë kisha thënë të hetohet ky vendim, me prokurori e gjykata, kushdo që mundet e të dal në shesh e vërteta e këtij vendimi. ZRRE-ja ose e ka humbur rrugën, ose është palë interesi në vendim. Prandaj, bizneset duhet të organizohemi që të mbrohemi. Qeveria e ka për detyrë e ta shohim çka do të kontribuojë në këtë drejtim”, tha Malushaj.
