Misioni i gazetarit është të parashtrojë pyetje…

Shkruan: Zejdush KASTRATI

Kur kemi të bëjmë me persona që mbajnë pozita të larta në parti apo në legjislativ, si Fitore Pacolli dhe disa ministra të tjerë që përfliten për afera të mëdha financiare, qeverisja e Albin Kurtit jo vetëm që po zhgënjen elektoratin, por, nëse vendi shkon në zgjedhje – qofshin ato të përgjithshme apo lokale – do ta paguajë shtrenjtë këtë tolerancë ndaj abuzimeve, që po kalojnë pa sqarime apo përgjegjësi pikërisht nga partia dhe lideri i saj.

Gazetarja Blerta Foniqi ishte në nivel shumë profesional gjatë intervistës me znj. Pacolli, dhe për këtë meriton respekt. Akuzat që mysafirja e emisionit mundohej t’ia bënte gazetares nuk ishin asgjë tjetër veçse përpjekje për të shmangur përgjigjet mbi aferat për të cilat ajo vetë është përfolur prej kohësh.

Nuk di se çfarë mendoni ju, politikanë që përfliteni për afera: Ju të rrejë, ju të vjedhë, ju të falsifikojë, ju të kërcënojë, ju të rrahë gjoks dhe të flisni për shtet, rend dhe ligj – e në të njëjtën kohë të veproni të kundërtën – ndërsa gazetaria të heshtë, të mos guxojë t’ju pyesë, por t’ju thotë: “Keni punuar mirë, shumë mirë, vetëm vazhdoni kështu!”?

Jo. Kjo logjikë intervistash, kronikash e storiesh nuk i bën nder gazetarisë dhe e ka sjellë gazetarinë kosovare në këtë gjendje mjerimi ku ndodhemi sot.

Andaj, respekt dhe mbështetje për gazetaren Blerta Foniqi; mjerim, dështim dhe kritikë për Fitore Pacollin, e cila nuk i bën nder as vetes, as shtetit, e as partisë që përfaqëson.

Misioni i gazetarit është të parashtrojë pyetje. Ndërsa misioni i të ftuarit është të japë përgjigje – gjë që kësaj here mungoi.


Go to TOP