LVV-ja siguron 53 ulëse në Kuvend, LDK-ja e humb një
Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 53 mandate parlamentare pas numërimit të shumicës së votave nga diaspora dhe përfaqësitë diplomatike, ndërsa procesi i numërimit ende nuk ka përfunduar.
LDK e cila deri më tani llogaritej me 19 ulëse, tashmë ka rënë në 18 mandate.
Sipas rezultateve të deritanishme të KQZ-së, VV-ja prin me 46.95 për qind të votave duke grumbulluar 373 mijë e 275 vota dhe 53 ulëse në Kuvend. Pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës me 22 mandate dhe 19.50 për qind të votave, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar 18 ulëse me 16.79 për qind. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka 7 mandate me 6.75 për qind të votave.
Megjithatë, rezultati përfundimtar mbetet i hapur, pasi ende nuk janë numëruar të gjitha votat. Deri më tani janë numëruar 2,750 nga 2,857 vendvotime, apo 96.25 për qind e totalit.
Nga votat me postë janë numëruar 205 nga 223 kuti votimi, përkatësisht 91.93 për qind. Në votimin me postë, Vetëvendosje ka marrë 73.03 për qind të votave të numëruara deri tani duke lënë pas LDK-në me 12.25 për qind, PDK-në me 7.80 për qind dhe AAK-në me 4.23 për qind.
