Lushi: Kushtetuta duhet të jetë e Kosovës, jo e imponuar

Veprimtari Uk Lushi ka kritikuar ashpër mënyrën se si është ndërtuar dhe funksionon aktualisht Kushtetuta e Kosovës duke e cilësuar atë si “meshavinë e të huajve”. Sipas tij, fakti që dokumenti themeltar i shtetit ka elemente të imponuara dhe se Gjykata Kushtetuese është produkt i marrëveshjeve ndërkombëtare, e bën sistemin politik të ndjeshëm ndaj krizave periodike.

Lushi theksoi se çdo dy apo tre muaj Gjykata Kushtetuese detyrohet të ndërhyjë në çështje politike duke krijuar tensione dhe interpretime që ai i quan “stuhi në gotë”. Një prej rasteve që ai përmendi është debati mbi zgjedhjen e Presidentit, ku procedurat kushtetuese kanë shkaktuar polemika dhe vonesa politike.

“Kosova duhet të ketë një Kushtetutë të vetën, të përshtatur me realitetin e saj dhe jo të shkruar nën diktatin e të tjerëve,” tha ai. Sipas tij, një kushtetutë e hartuar nga vetë institucionet dhe populli i Kosovës do të shmangte situata të përsëritura krizash politike dhe interpretime të kundërta juridike.

Ai shtoi se shtetet nuk ndërtohen duke iu prerë teshat nga jashtë duke nënkuptuar se sovraniteti juridik dhe politik duhet të reflektohet edhe në dokumentin themeltar të shtetit. /Kosova.info/


Go to TOP