Lushaku: Mashtrim i madh me rrymën, qytetarët po paguajnë më shumë
Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku, ka reaguar ashpër ndaj asaj që e ka quajtur “mashtrim të madh me rrymën” duke akuzuar për dëmtim të qytetarëve përmes llogaritjes së gabueshme të energjisë elektrike.
Sipas saj, ky skandal është bërë publik fillimisht nga Visar Azemi, i cili ka prezantuar raste ku qytetarëve u janë faturuar shuma më të larta për shkak të matjes së pasaktë nga orët e rrymës.
Lushaku theksoi se qytetarët jo vetëm që janë dëmtuar financiarisht, por edhe janë manipuluar përmes këtyre faturimeve të gabuara. Ajo paralajmëroi se LDK do ta adresojë këtë çështje në të gjitha instancat relevante, me qëllim identifikimin dhe ndëshkimin e përgjegjësve.
Në të njëjtën kohë, ajo u bëri thirrje qytetarëve që të kontribuojnë në zbardhjen e rastit duke dërguar fotografi të orëve të tyre të rrymës tek Azemi në rrjetet sociale, sipas udhëzimeve të publikuara.
“Mos lejoni që t’ju vjedhin në rrymë. Bëhuni pjesë e denoncimit”, ka përfunduar Lushaku. /Kosova.info/
