Lumir Abdixhiku e Përparim Rama në takim me bashkëshorten e ish-presidentit Rugova

Për nder të ditëlindjes së presidentit historik, kryetari i LDK-së Lumir Abduxhiku së bashku me kryetarin e Prishtinës dhe me disa bashkëpunëtorë kanë vizituar familjen e Presidentit Rugova, zonjën Fana e trashëgimtarët e familjes.

Këtë e ka bërë të ditur Abdixhiku përmes një postimi në facebook.

“Rugova para se të ishte prijës shpirtëror e prijës politik, ishte një krijues, poet, kritik e mendimtar. Refuzimi estetik i tij ndaj diktaturës, totalitarizmit e shtypjes së kohës, ishte nisje e mendimit të lirë. Ky rrugëtim i tij prej krijuesi u ndërpre nga një thirrje e kohës për t’i prirë lëvizjes më të madhe historike të shqiptarëve në Kosovë”. 

“Rruga që Ibrahim Rugova nisi e trasoj, trashëgimia politike që la pas, mbesin dritë prijëse për secilin prej nesh në LDK. Këto vlera themeltare për organzimin tonë politik do t’i kultivojmë, ruajmë e promovojmë me plot përkushtim”, ka shkruar Abdixhiku.

Postimi i plotë:

Më 2 dhjetor të vitit 1944, lindi arkitekti i shtetit të Kosovës, prijësi historik i lëvizjes për lliri, pavarësi e demokraci, Presidenti i parë i vendit tonë, Dr. Ibrahim Rugova. Veprat e tij jetësore kanë definuar papërsëritshëm fatin e shqiptarëve në këto anë. Ato sot qëndrojnë si themele të forta e të palëkundura të lirisë sonë, të pavarësisë sonë, të Republikës sonë.

Ditëlindjet e tij të para ishin të vështira. I biri i Ukës të Rrustë Sadrisë dhe i Sofës së Qerim Rugovës, kishte babë e gjysh të vrarë e zhdukur nga shërbimet jugosllave. Por jeta e vështirë s’ishte arsye për ndalje; përkundrazi, ishte shtytje për një fat më të madh. Pasi përfundoj shkollimin fillor në Istog e atë të mesëm në Pejë, Rugova vijoj studimet në Prishtinë. Pas diplomimit mori titullin e Këshilltarit Shkencor në Institutin Albanogjik të Prishtinës. Në fundin e viteve të 70-ta, ai shkoi në Paris. Atje, nën mbikëqyrjen e Roland Barthes, ndoqi studimet mbi letërsinë në “École Pratique des Hautes Études”. Në vitin 1984, doktoroi në Prishtinë në tezën me temë “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare: 1504-1983”.

Rugova para se të ishte prijës shpirtëror e prijës politik, ishte një krijues, poet, kritik e mendimtar. Refuzimi estetik i tij ndaj diktaturës, totalitarizmit e shtypjes së kohës, ishte nisje e mendimit të lirë. Ky rrugëtim i tij prej krijuesi u ndërpre nga një thirrje e kohës për t’i prirë lëvizjes më të madhe historike të shqiptarëve në Kosovë. Në vitin 1988 Rugova u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Më 23 dhjetor 1989 ai krijoi dhe u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, lëvizjes popullore për liri, pavarësi e demokraci. Krijuesi letrar.

Pjesa tjetër është histori e lavdishme.

Rruga që Ibrahim Rugova nisi e trasoj, trashëgimia politike që la pas, mbesin dritë prijëse për secilin prej nesh në LDK. Këto vlera themeltare për organzimin tonë politik do t’i kultivojmë, ruajmë e promovojmë me plot përkushtim.

Sot, me bashkëpunëtorë vizituam familjen e Presidentit Rugova, zonjën Fana e trashëgimtarët e familjes. Shënuam 2 dhjetorin e tij sepse Presidenti ka vetëm ditëlindje.

Go to TOP