Luis Enrique e lavëron Dembele për cilësitë mbrojtëse
Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, ka vlerësuar lart angazhimin për skuadrën të sulmuesit francez Ousmane Dembele.
Fjalët e trajnerit spanjoll kanë ardhur në prag të finales së Champions League kundër Arsenal.
Enrique ka thënë se Dembele është bërë shembull për mënyrën se si ndihmon skuadrën edhe pa topin në këmbë.
“Ky është mentaliteti i Ousmane. Çdo trajner duhet ta tregojë mënyrën se si ai luan në mbrojtje. Gjithmonë flasim për atë që sulmuesit bëjnë në fazën sulmuese, por rrallë për punën e tyre në mbrojtje. Ousmane e tregon gjithmonë cilësinë individuale me topin, por edhe aftësinë për të luajtur pa top”, ka deklaruar ai.
Dembele është kthyer në një nga figurat kryesore të projektit të ri të PSG-së nën drejtimin e trajnerit spanjoll, i cili kërkon që edhe lojtarët më ofensivë të kontribuojnë vazhdimisht në presionin ndaj kundërshtarit.
Një nga momentet më të komentuara ishte finalja e kaluar e Champions League kundër Inter, ku kamerat kapën Dembele duke vështruar portierin Yann Sommer para se të niste presionin. Skuadra franceze fitoi atë finale me rezultat bindës 5-0, duke siguruar trofeun e parë të Champions League në histori të klubit.
Sulmuesi francez vjen edhe këtë sezon pas një paraqitje të mirë në Europë, duke u shndërruar në një nga lojtarët më të kompletuar ofensivë në sistemin e Luis Enriques.
Dembele ka pasur disa shqetësime muskulore pas përfundimit të sezonit në Ligue 1, por trajneri i PSG-së pret që skuadra të jetë e kompletuar për finalen, ndërsa në stërvitje është rikthyer edhe mbrojtësi Achraf Hakimi.
