Loja e rrezikshme e Vuçiqit në rajon me pritjet e “ndryshimit” të rrethanave ndërkombëtare
Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq nuk është i gatshëm të nënshkruajë asnjë marrëveshje për normalizimin e raporteve me Kosovë edhe nëse do të krijohej Asociacioni i komunave serbe. Vetë mbajtja e zgjedhjeve te brendshme në Serbi e rikonfirmoi këtë. Kësaj i parapriu edhe deklarata e tij, se është i gatshëm të implementojë vetëm disa nga pikët e marrëveshjes së Ohrit dhe jo ato që nuk i konvenojnë! Pra ai e quajti te papranueshëm dokumentin. Deklaratat dhe veprimet e tij, kanë filluar të shqetësojnë edhe faktorë perëndimor. Megjithatë shqetësues mbetet fakti që disa segmente ndërkombëtare vënë theksin në normalizimin e raporteve dhe jo aq shumë njohjes. Vuciq insiston në krijimin e asociacionit të komunave serbe por nuk do as njohjen dhe as normalizimin e marrëdhënieve me Kosovë. Vuçiq vazhdon te luaje një loje te rrezikshme ne rajon, pavarësisht premtimeve qe mund tu këtë dhënë faktorëve perëndimor. Katër vite më parë dukej sikur dëshironte t’i jepej fund këtij procesi.
Më 3 tetor 2019 kishte thënë se është kundër konflikteve të ngrira kudo që të jenë në Ballkan duke sqaruar se konfliktit i Armenisë me Azerbajxhanin tregoi në rrezikun e konfliktit të ngrirë.
Por në nëntor të këtij viti diçka ndryshoi tonet. “Nëse përpiqeni të arrini kompromis dhe e shihni se është pamundur dhe e shihni se dalje tjetër nuk ka atëherë duhet edhe kohë për të blerë dhe kjo është më mirë e të hiqni dorë nga ajo që nuk mundeni dhe nuk guxoni të hiqni dorë”, tha ai. Opsionin e ndarjes vazhdon ta mbajë në tavolinë Beogradi, dhe kjo u dëshmua me sulmin në veri të Kosovës. Serbia preferon konfliktin e ngrirë i cili në çdo (moment të favorshëm) mund të aktivizohet siç tregoi rasti i Banjskës. Vetë vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së Jens Stoltenberg tregoi se situata në rajon është alarmante. Kur kësaj i shtohet deklarata e Vuciqit mbi vendosjen e trupave në kufi, kjo s’do koment.
Kur Vuçiq thotë se ka frikë se viti 2024 do të sjellë shumë më tepër konflikte dhe trazira, duke menduar për një lloj kërcënimi serb në Republikën Srpska, në Kosovë dhe në pjesë të tjera të rajonit, ai në fakt dëshiron të thotë se celula terroriste çetnike në Ballkan, do të jetë shumë më aktiv në 2024.Pikerisht për këtë arsye ai shpalli zgjedhjet parlamentare për fund të këtij viti, në mënyrë që të blejë kohë shtesë deri në ndryshime gjeopolitike ndërkombëtare, në mënyrë që të pres tanket ruse në Danub.
Pas indikacioneve të sheshta ku Serbia nuk e dëshiron zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe çuarja në zgjedhjet e brendshme të saj, është krijuar një situatë e re në të cilën ende mbetet i paqartë pozicioni i vetë BE edhe pse kanë adresuar disa sinjale paralajmëruese të ndryshimit të kursit ndaj Beogradit për vetë mënyrën e vendosjes së politikës, lidhjet speciale me Rusinë dhe reflektimet në raport me fqinjët. Në këtë pozicion Serbinë po e mbajnë disa vlerësime në qarqet e BE që Serbia të përfitohet me çfarëdo çmimi madje edhe me ndonjë lëshim eventual. Por pikërisht Serbia ka përdorë me dekada këtë taktikë shantazhi dhe rebelimi duke përfituar shumë. Çfarëdo qëndrimi të mbajë Kosova në procesin e dialogut nga ajo nuk do të varet asgjë, pavarësisht kritikave si brenda ashtu edhe jashtë saj.
Instruksionet ruse
Duhet rikujtuar se Kemlini ka dërguar të gjitha instruksionet ne lidhje me vendet e rajonit ambasadorit rusë në Beograd Aleksandër Bocan Harcenko. Dhe atë me premtimin se Moska do të ndryshojë pozicionin e “vendeve” serbe.
Janë interesante disa deklarata të kohëvet të fundit nga figura me ndikim si në Serbi ashtu edhe në Rusi për të parë lëvizjet e tyre.
Një nga ideologët e mëdhenj serb dhe i “Serbisë së Madhe”, Nenad Kecmanoviq kohë më parë për agjencinë Sërna konsideron Rusia do të ndryshojë pozicionin e vendeve serbe në deltën e Danubit. Kështu ai mbështet Milorad Dodikun i cili mbetet pjesë e planeve ruse në rajon.
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe Kryetari i Nderit i Presidiumit të Këshillit për Politikë të Jashtme dhe Mbrojtëse Sergej Karaganov ku në një publikim në një media serbe thotë se lufta mund të përfundojë me çlirimin e gjithë lindjes dhe jugut të Ukrainës. Ai pret që brenda 10-15 vitesh të shpërbëhet BE dhe që një pjesë e konsiderueshme e Evropës, jugore, lindore dhe qendrore, do të hyjnë në sistemin e Euroazisë së madhe. Vetë presidenti rus Putin e bëri të qartë planet e tij që juglindja e Ukrainës të jetë pjesë e Rusisë.
Ish këshilltari i presidentit Karaganov thotë se nëse do të vendoste sanksione, Serbia do të humbiste mbështetjen e Rusisë dhe Kinës dhe kështu do të mbetej pa hapësirën e manovrimit midis Rusisë dhe NATO-s që ka tani. Mediet e afërta me oborrin qeveritar të Serbisë shpresojnë se rusët do të dalin në Danub dhe do ta ndryshojnë strukturën gjeopolitike në botë, por që janë në një iluzion më të madh se ajo në të cilin pretendohet se Serbia nuk ka qenë kurrë më prezentë se sot në Kosovë.
Grykë dalja e Danubit në Detin e Zi me të drejtë konsiderohet si vrima e çelësit gjeostrategjik të Ballkanit dhe Evropës Qendrore. Rusia arriti të marrë Deltën e Danubit për herë të parë me Traktatin e Detit Adriatik (1829), e humbi pas Luftës së Krimesë (1856) dhe e riktheu në Kongresin e Berlinit (1878). E humbi përsëri në 1918, e riktheu (si BRSS) në 1940, e humbi përsëri (me rënien e BRSS) në 1992. Një dalje e mundshme e rusëve në Danub, sipas strategëve rus do të kishte një ndikim të madh në të gjithë rajonin e Danubit, sidomos pozicionin strategjik të Serbisë, e cila është ne qendër te Gadishullit Ballkanik. Seria sado që mundohet të kamuflojë , nuk dëshiron të jetë në një paralele të lidhur me Ukrainën në kuptimin e arkitekturës së sigurisë evropiane. Pozicioni i proklamuar neutral i Serbisë demaskohet nga një deklaratë e vetë presidentit të saj Aleksandër Vuciq i cili pranoi gabimin në vlerësimin e pritjeve të tij që rusët do të jepnin një përgjigje më të ashpër në Kherson të Ukrainës, në një kohë kur me direktivat e tij, ishin tërhequr të gjithë policët dhe këshilltarët politik të komunitetit serb nga institucionet e Kosovës.
“Mendova se rusët do të jepnin një përgjigje më të fortë rreth Khersonit. Padyshim që gabova. Kjo na tregon se sa duhet të jemi të vetëdijshëm se duhet të krijojmë të ardhmen tonë dhe se duhet të kujdesemi për veten në kuptimin ushtarak, dhe se ne ruajmë me xhelozi neutralitetin tonë ushtarak”, ishte komenti i Vuçiq gjatë qëndrimit të tij në Paris, duke komentuar ngjarjet e fundit lidhur me luftën në Ukrainë. Pra në mes rreshtas ai bëri të kuptojë që mbetet “neutral” derisa Moska nuk arrin qëllimet e saj. Pikërisht për këtë, qëllimi i planit serb është mbajtja e përshkallëzuar e situatës përmes incidenteve të organizuara që sipas pritjeve të tyre do të çonin në konflikt të hapur ndërmjet policisë shqiptare dhe KFOR-it nga njëra anë dhe paraushtarakëve serbo-rusë nga ana tjetër, të cilët shpresojnë në mbështetje të ushtria serbe nëpër qafa malore në veri.
Faktori kinez në planet serbe
Një tjetër fakt shqetësues për vetë vendet perëndimore është prezenca e Kines në rajon dhe ndikimet që ka sidomos në Serbi. Në planet kineze Ballkani Perëndimor konsiderohet korridori qendror i cili mund të lidhë portet e saj lindore dhe Shangain dhe përmes të Azisë Qendrore deri në vendet e Ballkanit përmes së cilës do të arrinin në Evropën Qendrore dhe Perëndimore. Nja plan analog me historikun e Rruga e Mëndafshtë dhe korridori detar përmes Kanalit të Suezit dhe portit të Pireut në Greqi (i kontrolluar nga Kina). Serbia zë një vend qendror në të dy korridoret në Ballkan. Në Ballkan, Serbia është zgjedhur si “vitrinë” e projektit kinez i cili ka ambicie të konsiderueshme gjeoekonomike pse jo edhe politike. Analist të jashtëm nuk fshehin faktin që Serbia paraqet një interes për Kinën si një jashtë BE-së dhe NATO-s. Dhe jo rastësisht pjesën më të madhe të financimit të hekurudhës nga Novi Sadi deri në Hungari e bart Kina. Serbia, duke përfituar nga mundësia historike që i ofron pozicioni gjeopolitik dhe marrëdhëniet politike, ekonomike dhe ushtarake me Kinën, ka realizuar synime të shumta kombëtare dhe në një periudhë të shkurtër kohore është kthyer në një vend kyç në Ballkan dhe Evropën Juglindore. . Përveç kësaj, Pekini zyrtar mbështet Serbinë në çështjen e ruajtjes së integritetit dhe sovranitetit të saj territorial, dhe së fundmi presidenti Vuçiq është duke u konsultuar për problemet e zgjidhjes së Kosovës jo vetëm me Rusinë, por edhe me Kinën. Më 17 tetor 2023, në prani të Presidentit të Republikës së Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe Presidentit të Republikës së Kinës Xi Jinping ishin në Pekin nënshkruar katër dokumente, ndër të cilat më i rëndësishmi është Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e nënshkruar nga ministri i Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme të Serbisë, Tomislav Momiroviq dhe Ministri i Tregtisë kineze Wang Wentao, e cila do të përfshijë 10,412 mallra serbe dhe 8,930 mallra kineze. Për Serbinë, Kina është partneri i dytë i tregtisë së jashtme. Madhësia e qarkullimit tregtar ndërmjet vendeve në vitin 2022 arriti në rreth 5.5 miliardë euro (në vitin 2021 – 5.3 miliardë dollarë), dhe vëllimi i eksporteve nga Serbia në Kinë vitin e kaluar tejkaloi 1.3 miliardë dollarë, ndërsa rritja e eksporteve serbe arriti në 157 .7%. Eksportet e Serbisë drejt Kinës janë rritur 152 herë gjatë dekadës së fundit dhe janë trefishuar që nga viti 2019.
Republika e Serbisë dhe Kina janë të lidhura ngushtë në projektet e infrastrukturës, dhe fillimi i bashkëpunimit në këtë fushë filloi në vitin 2009, kur Serbia dhe Kina nënshkruan Marrëveshjen për Bashkëpunim Ekonomik dhe Teknik në fushën e infrastrukturës. Linja hekurudhore me shpejtësi të lartë 350 km ndërmjet Beogradit dhe Budapestit, ndërtimi i korridorit 11. të autostradës Milos Veliki, ndërtimi i autostradës Prelinë – Pozegë dhe urës “Mikhailo Pupin” në Danub janë vetëm disa nga projektet. Aktualisht, 61 projekte kineze me një kosto totale të vlerësuar prej 18.77 miliardë euro janë duke u zbatuar në Serbi. Sondazhet tregojnë se 83% e qytetarëve serbë e konsiderojnë Kinën një vend mik, dhe 77% e vlerësojnë ndikimin e saj pozitiv. Dhe të gjitha këto i arsyeton me pozicionin që kanë këto dy vende ndaj Kosovës edhe pse ajo në thelb më shumë i ka me interesat e saj jo vetëm ekonomike pse jo edhe ideologjike. Andaj BE dhe ShBA duhet të fillojnë të mendojnë një qasje tjetër ndaj Serbisë dhe jo në dëm të Kosovës. Kjo sepse nisur nga faktet e lartcekura mbetet pak e besueshme që Serbia të jetë e gatshme të njohe Kosovën dhe të ketë përafrimin me politikën e jashtme të BE si kusht i anëtarësimit të saj. Çdo vonesë e reagimit të vendeve perëndimore për të kufizuar hapësirën manovruese të Vuçiqit do të ketë një kosto të lartë jo vetëm për BE por edhe vendet e rajonit që aspirojnë në familjen evropiane.
Ilir KRASNIQI
