Llugaliu takon homologun italian në Tiranë: Thellohet bashkëpunimi doganor Kosovë-Itali
Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, z. Agron Llugaliu, takon Drejtorin e Përgjithshëm të Doganës së Italisë në kuadër të Konferencës së Nivelit të Lartë.
Në margjinat e Konferencës së Dytë të Nivelit të Lartë të Drejtorëve të Doganave të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të BE-së, e mbajtur në Tiranë, Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, z. Agron Llugaliu, zhvilloi një takim dypalësh me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganës së Italisë, z. Roberto Alesse.
Gjatë takimit, u theksua rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Doganës së Kosovës dhe Doganës së Italisë, si një komponent kyç për forcimin e kapaciteteve dhe përmbushjen e standardeve evropiane në fushën doganore.
Z. Llugaliu dhe z. Alesse diskutuan mbi fusha konkrete të bashkëpunimit, përfshirë:
- shkëmbimin e informatave operacionale dhe analitike,
- luftimin e kontrabandës dhe informalitetit,
- zhvillimin e trajnimeve të përbashkëta për stafin doganor, dhe
- asistencën teknike në funksion të përgatitjes për integrim evropian.
Të dy drejtuesit u pajtuan për të vazhduar ndjekjen e mënyrave të përshtatshme të bashkëpunimit dhe shkëmbimit, në interes të përbashkët të forcimit të sundimit të ligjit, sigurisë kufitare dhe lehtësimit të tregtisë ndërmjet dy vendeve.
Ky takim shënon një tjetër hap të rëndësishëm drejt thellimit të partneritetit strategjik ndërmjet dy administratave doganore dhe ndihmon në forcimin e lidhjeve institucionale mes Kosovës dhe Italisë në kuadër të integrimit rajonal dhe evropian. /Kosova.infoi/
