Kryeqyteti sqaron për kontratat në “Ku’zina”: Përfundim i angazhimeve të përkohshme, jo shkurtim i punëtorëve
Në përgjigje të disa raportimeve në opinionin publik lidhur me ndërprerjen e kontratave të punës në Ndërmarrjen Publike Lokale “Ku’zina” Sh.A., Kryeqyteti ka sqaruar se bëhet fjalë për përfundimin e kontratave të përkohshme, të lidhura ekskluzivisht me një projekt specifik.
Sipas njoftimit zyrtar, punëtorët e përfshirë kanë qenë të angazhuar vetëm për realizimin e shërbimit të shujtave në kuadër të mësimit të zgjatur në disa shkolla të Kryeqytetit. Me përfundimin e këtij projekti, ka përfunduar edhe angazhimi i tyre, proces ky i rregullt dhe standard për projekte me kohëzgjatje të kufizuar.
Kryeqyteti thekson se funksionimi i ndërmarrjes “Ku’zina” Sh.A. nuk është cenuar dhe aktualisht ajo operon me kapacitete të plota. Ndërmarrja ndodhet në një fazë të avancuar të përgatitjeve për përmirësimin dhe pasurimin e mëtejshëm të shërbimeve ushqimore për qytetarët, në përputhje me standardet më të larta të sigurisë ushqimore dhe në funksion të nevojave të komunitetit.
Përmes këtij reagimi, Kryeqyteti rithekson përkushtimin për të mbështetur ndërmarrjet publike dhe për të investuar në shërbimet thelbësore për qytetarët, me qëllim rritjen e vazhdueshme të cilësisë dhe efikasitetit të tyre.
“Faleminderit për mirëkuptimin dhe përkrahjen,” përfundon njoftimi. /Kosova.info/
