Liqeni i Vërmicës i mbushur me mbeturina

Në muajt e nxehtë të verës Liqeni i Vërmicës u tha tërësisht ndërsa shërbeu vetëm kullotë për bagëtitë. Prurjet e mëdha pas reshjeve të stinës bënë që ky liqe të arrijë pothuajse në kuotat maksimale, por ky vend turistik pësoi shumë ndotje nga mbeturinat.

“Hiq s’mbajnë asnjë send, qytetarët po i gjuajnë këto; nëse shkohet më tej, aty ku është burimi, mund të lihen”, tha Hashim Rakaj, banor i Vërmicës.

Nxënësit e shkollës së Vërmicës thonë se jo rrallë angazhohen për pastrimin e bregut të liqenit.

“Çdo gjë që sjellin vizitorët e hedhin si mbeturina dhe na pengon shumë, sepse po na ndotin ambientin. Shumë herë e pastrojmë bashkë me shkollën, por prapë ndotet”, tha Lirim Rakaj, nxënës i shkollës së Vërmicës.

Kjo ndotje po ndikon shumë edhe në ekosistem, thotë Martin Kqira.

“Ndotja e Liqenit të Vërmicës është vërtet e dëmshme për të gjithë. Na pengon sidomos ne që dalim të pushojmë dhe të shijojmë ambientin këtu. Ndotje gjithmonë ka, edhe njerëz që tentojnë ta pastrojnë pak, por nuk munden të përballojnë sasinë e mbeturinave”, tha Kqira.

Ndotja e mjedisit këtu po e dëmton shumë edhe turizmin, i cili ka marrë hov në 40 vitet e fundit.

“Prej më shumë se 40 vitesh funksionojmë si restorante, mirëpo me rritjen e nivelit të ujit, mbeturinat po afrohen shumë pranë restoranteve. Kjo nuk është pamje e mirë për klientët apo turistët që vijnë e vizitojnë Vërmicën, por këto janë mbeturina që vijnë nga larg”, tha Hazbi Badallaj, afarist.

Vërmica është pika më e ulët mbi nivelin e detit, ndërsa kjo është njëra nga arsyet që këtu grumbullohen më së shumti mbeturinat. Zakonisht janë shoqatat e ndryshme mjedisore që merren me pastrimin e tyre, por kjo është e pamjaftueshme për mirëmbajtjen e një vendi turistik, ankohen banorët e zonës.


Go to TOP