Ligatina e Hencit, zona e mbrojtur që po shkatërrohet
Ligatina e Hencit, e shpallur Zonë e Veçantë e Mbrojtur e Zogjve në vitin 2014, ka mbetur kryesisht vetëm në letër. Pjesa më e madhe është tharë, gypat e ujit janë dëmtuar, dhe zogjtë e rrallë po zhduken për shkak të gjuetisë ilegale. Ligatina mbulon 109 hektarë dhe ndodhet në pronësi të komunave Fushë Kosovë, Lipjan dhe Graçanicë.
E vetmja ligatinë artificiale në vend, e cila ka tërhequr për shtegtim shpendët më të rrallë në rajon, sot është buzë shkatërrimit. Në sipërfaqen e vogël që ka mbetur me ujë, ditë më parë është parë edhe mjellma.
“Sipas disa informacioneve që kemi, aty ka mbi 100 lloje shpendësh, por kam dashur të potencoj ato më të rralla. Vitin e kaluar kemi fotografuar kolikun e zi, që është një shpend mjaft i rrallë. Ka qenë gëzim i madh kur e kemi fotografuar edhe pelikanin, por ai u vra pas tre ditësh. Vitin e kaluar kanë ardhur shumë shpendë të tjerë… .jo zonë është shumë e veçantë”, tha Albert Krasniqi, Fotograf i botës së egër.
“Në anën time të majtë ligatina për fat të mirë është e furnizuar me ujë, kurse pjesa tjetër, që prej vitit 2004, është pa ujë. Nuk e dimë arsyen pse është tharë uji, pasi nuk kemi informacion mbi planin e ndërtimit të ligatinës. Valvula që më parë furnizonte ligatinë me ujë tani është dëmtuar”, theksoi Krenare Salihu, drejtoreshë e OJQ-së Escopana.
Shpendët largohen dita-ditës për shkak të gjuetisë ilegale, ndërsa nga dora e njeriut janë prishur edhe argjinatura dhe gypat për furnizimin me ujë. Zyrtarët institucionalë premtojnë se do të ndërmarrin masa.
“Hapi i parë që duhet ndërmarrë është sigurimi i dy ose tre rojtarëve që të ruajnë ligatinë, pasi aty shpesh ka edhe gjueti ilegale. Kohëve të fundit, vërshimet kanë shkaktuar probleme shtesë: në tri vende kanë shpërthyer bankinat ose muret mbrojtëse për shkak të sasisë së madhe të ujit. Këto qarje duhet të rregullohen sa më shpejt”, tha Sami Behrami, Udhëheqës i sektorit të mbrojtjes në IMMN.
Ligatina ishte ndërtuar në vitin 1960 për kultivimin natyral të peshkut dhe furnizonte me peshk të gjithë ish-Jugosllavinë. Sot, nga 109 hektarët e saj, vetëm një pjesë e vogël vazhdon të ketë ujë.
