Lidhja e Bizneseve të Kosovës: Udhëzimi për importin rrezikon ekonominë dhe rrit çmimet për qytetarët
Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj të madh lidhur me miratimin e Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2024, i cili përcakton rregullat dhe kuotat për importin. Sipas tyre, ky udhëzim do të ketë një ndikim të rëndë në sektorin privat, duke rritur çmimet e produkteve dhe duke goditur ekonomitë familjare të qytetarëve të Kosovës.
“Këto rregulla të reja të importit shkelin parimet e tregut të lirë që karakterizojnë ekonominë e hapur të Kosovës,” thuhet në një komunikatë të Lidhjes së Bizneseve, duke theksuar se udhëzimi është në kundërshtim me Nenin 10 të Kushtetutës së Kosovës, i cili garanton një ekonomi të tregut me konkurrencë të lirë.
Ata paralajmërojnë se pasojat e këtij udhëzimi do të jenë të menjëhershme, me një valë të re të rritjes së çmimeve që do ta bëjë jetesën më të vështirë për shumicën e qytetarëve.
“Ky është një goditje e rëndë për ekonominë e vendit dhe për perspektivat e zhvillimit ekonomik në të ardhmen,” shprehen ata.
Në vend të miratimit të masave për mbështetje të prodhuesve vendor, Lidhja e Bizneseve të Kosovës bën thirrje për dialog të hapur midis bizneseve dhe institucioneve, me qëllim që të arrihen vendime të favorshme për zhvillimin ekonomik të vendit dhe për të siguruar një mjedis më të mirë për bizneset dhe qytetarët. /Kosova.info/