Lëndohen katër persona në një aksident në afërsi të Ferizajt

Katër persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur në orët e mbrëmjes në magjistralen Ferizaj-Prishtinë, e ku kanë qenë të përfshira një autobus dhe tri vetura.

Rastin e ka konfirmuar për RTK zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

“Rreth orës 21:00, kemi pranuar një informatë për një aksident trafiku në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë, në fshatin Prelez i Muhaxherëve të Ferizajt. Në aksident janë përfshirë një autobus dhe tri vetura, të gjitha me targa vendore”, ka thënë ai.

Në vendngjarje menjëherë kanë dalë ekipet e policisë, ndërsa hetuesit e aksidenteve kanë kryer ekzaminimin e plotë të vendit të ngjarjes.

“Përveç dëmeve materiale të shkaktuara në automjete, si pasojë e aksidentit janë lënduar katër persona. Ata janë transportuar për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj nga ekipet e autoambulancës”, ka shtuar ai.

Veseli ka bërë të ditur se për të gjitha veprimet e ndërmarra nga policia, është njoftuar prokurori i shtetit.


Go to TOP