Legjislaturë e dështuar!

Shkruan: Florim ZEQA

Fati e deshi që mbledhja e pestë konstituive e Kuvendit të Kosovës të mbahet në ‘Ditën e Bujqve’. Thellësisht jam i bindur se, sikur të ishin bujqit sot në vend të deputetëve, zgjidhja do të arrihej fare lehtë! 

Edhe sot nuk ndodhi mrekullia në Kuvend 

Pozicionet e ngurta të partive politike të motivuara nga inatet personale, tashmë janë kthyer në agjenda partiake për ta dërguar vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Siç duket, në mungesë të numrave, LVV-së më shumë i konvenon ngërçi politik në Kuvend, pasi e ka pushtetin faktik në Kosovë.

Mungesa e bashkëpunimit mes partive parlamentare, përkatësisht e partisë fituese me partitë e tjera e ka sjellë Parlamentin në këtë situatë bllokues!

Tashmë një gjë është bërë e qartë, koalicioni LVV-G-A i kanë vetëm 57 numra në Kuvend, numra këta të pamjaftueshëm për zgjedhjen e Qeverisë, por nuk i dimë numrat e partive të tjera opozitare që pretendojnë marrjen e pushtetit me çdo kusht ose dërgimin e vendit në zgjedhje!

Këto do të ishin zgjedhje pa zgjidhje, për shkak se rezultati do të del përafërsisht i njëjtë!

Bllokimi i zgjedhjes së Kryeparlamentarit është veprim jo demokratik, jo parimorë dhe aspak i menduar mirë politikisht. Njëherit, kjo është një aventurë e rrezikshme me shtetin si produkt i inateve personale me ambicie karrieriste dhe pushtetore, i përcjellë me veprime antikushtetuese, duke e rrezikuar seriozisht stabilitetin politik dhe të ardhmen e shtetit.

Kjo klasë e politikanëve të papërgjegjshëm janë duke përfituar nga pasiviteti dhe indiferenca e skajshme e elitës intelektuale dhe qytetarëve karshi veprimeve destruktive në Kuvendin e Republikës së Kosovës. 

Pa angazhimin e qytetarëve në imponimin e një alternative të re politike, politikanët do të vazhdojnë me lojërat e tyre të rrezikshme në dëm të shtetit, kurse bujqit (në mënyrë figurative) rrezikojnë t’i lënë djerrina tokat e Kosovës në shenjë proteste ndaj dështimit të kësaj legjislature!


Go to TOP