Bislimi e ministrja daneze flasin për aktualitetin në vend dhe rajon

Situata gjeopolitike në Evropë e aktualiteti në vend dhe rajon, kanë qenë ndër temat e diskutimit që numri dy i qeverisë, zëvendëskryeministri në detyrë Besnik Bislimi ka zhvilluar me ministren për Çështje Evropiane të Danimarkës, Marie Bjerre.

Derisa e ka falënderuar shtetin danez për mbështetjen ndaj Kosovës në arenën ndërkombëtare në rrugën drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare dhe drejt integrimit evropian, ka theksuar rëndësinë e avancimit të Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

“Gjithashtu foli rreth progresit demokratik që ka njohur vendi të dëshmuar edhe nga matjet e indekseve ndërkombëtare në rritje ekonomike, luftën kundër korrupsionit, sundim të ligjit, liri të shprehjes. Veçoi sektorin e teknologjisë së informacionit si fushë me potencial të madh të Kosovës, me këtë sektor që prin në terma të përqindjes në rritje të eksporteve të shërbimeve në TI, teksa nënvizoi edhe se përgjatë këtij mandati kemi dyfishuar investimet e huaja direkte”, thuhet në njoftimin që qeveria u përcolli mediave.

Në pjesën e dytë të këtij viti, Danimarka do të marrë kryesimin e Presidencës së Këshillit të BE-së si pasuese e presidencës aktuale të Polonisë, prandaj zëvendëskryeministri Bislimi ka shprehur gatishmërinë e tij për bashkëpunim të ngushtë dhe thellim të mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe.

Në këtë takim Ministrja shoqërohej edhe nga ambasadori për Kosovë, Christian Grønbech-Jensen, dhe Sekretari i Shtetit për Çështje Evropiane, Jonas Bering Liisberg. /Kosova.info/


Go to TOP